Çavuşoğlu: SHBA-të përfshihen në punët e brendshme të Venezuelës

Çavuşoğlu theksoi se Turqia është kundër përjashtimit, izolimit dhe ndërhyrjes në punët e brendshme të vendeve të tjera

 Ministri i Punëve të Jashtme i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, në lidhje me zhvillimet e fundit në Venezuelë ka deklaruar se disa vende të Amerikës Latine dhe SHBA-të janë përzier vazhdimisht në punët e brendshme të Venezuelës, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në kanalin televiziv A Haber, ministri Çavuşoğlu theksoi se Turqia është kundër përjashtimit, izolimit dhe ndërhyrjes në punët e brendshme të vendeve të tjera.

“Fatkeqësisht kohët e fundit, disa vende të Amerikës Latine dhe SHBA-të janë përzier vazhdimisht në punët e brendshme të Venezuelës”, tha Çavuşoğlu.

Sipas tij, Venezuela është ndër vendet më të bukura në botë në aspektin e pasurisë natyrore, por deri më sot, tha ai, ajo ka mbetur prapa në përdorimin e këtyre pasurive.

Duke theksuar se zhvillimet aktuale në vend janë shumë shqetësuese, Çavuşoğlu tha se Turqia në këto kushte të vështira është përpjekur të japë mbështetje për ekonominë e Venezuelës.

“Në Venezuelë ka një president të zgjedhur. Presidenti i Asamblesë deklaron veten de facto president. Kjo është situatë shumë e çuditshme, sepse është e qartë se si mund të bëhesh president, ndërsa edhe disa vende e kanë njohur këtë. Kjo në të vërtetë mund të shkaktojë një kaos” tha Çavuşoğlu.

– “Turqia ka theksuar në mënyrë të fortë mbështetjen e saj për demokracinë”

Ndër të tjera kryediplomati turk ka bërë të ditur se presidenti Recep Tayyip Erdoğan mbrëmë ka telefonuar homologun e tij venezuelian, Nicolas Maduro, ku është informuar në lidhje me zhvillimet e fundit dhe ka theksuar në mënyrë të fuqishme mbështetjen e Turqisë për demokracinë.

“Shpresojmë që Venezuela të tejkalojë këtë proces duke siguruar paqen me qetësi. Përndryshe mund të ketë zhvillime të rënda. Ne për këtë jemi të shqetësuar. Si Turqi ne përpiqemi të bëjmë pjesën tonë”,ka theksuar ndër të tjera Çavuşoğlu.

Kreu i Asamblesë Kombëtare të Venezuelës, Juan Guaido, shpalli veten president gjatë protestave anti-qeveritare në Karakas.

“Për t’i dhënë fund uzurpimit të qeverisë, për të formuar qeverinë kalimtare dhe për të organizuar zgjedhje të lira, betohem për të marrë përsipër detyrën e presidentit të Venezuelës”, tha Guaido gjatë fjalimit të tij në protestë.

Ndërkaq, presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se mbështet Guaidon si president të përkohshëm të Venezuelës.

Po ashtu, edhe Kanadaja dhe vendet e amerikës jugore si Brazili, Kolumbia dhe Paraguaji, kanë njoftuar njohjen e Guaidos si presidenti të përkohshëm të Venezuelës.

Kohë më pas, presidenti Maduro njoftoi ndërprerjen e të gjitha marrëdhënieve me SHBA-të, të cilën e akuzoi për “organizim të puçit kundër qeverisë legjitime” të vendit të tij dhe u dha afat prej 72 orëve diplomatëve amerikanë të largohen nga Venezuela.