Ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Mevlut Çavusoglu, ka realizuar një sërë kontaktesh dypalëshe në kuadër të Takimit 51. të Ministrave të Jashtëm të Shoqatës së Kombeve të Azisë Juglindore (ASEAN), mbajtur në Singapor.
Një prej takimeve të Çavusoglusë në Singapor ishte ai me ministrin e Shtetit të Indisë për Punët e Jashtme, Vijay Kumar Singh.
Këtë takim, shefi i diplomacisë turke e vlerësoi me anë të një postimi në rrjetin social, “Twitter”.
“Investimet e tregtia ndërmjet Turqisë dhe Indisë po rriten. Vëllimi tregtar ishte rreth 6,9 miliardë dollarë vitin e kaluar. Do të punojmë fuqishëm së bashku për të arritur objektivin e 10 miliardë dollarëve deri në vitin 2020”, shkroi ai.
Tjetër takim i ministri të Jashtëm turk ishte edhe ai me homologen australiane, Julie Bishop.
Në mesazhin e tij në “Twitter”, Çavusoglu theksoi se Australia është një prej partnereve themelore të Turqisë në rajonin e Azipaqësorit, ndërsa bëri me dije se me ministren Bishop ka shkëmbyer mendime për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ekonomike ndërmjet dy vendeve, për thellimin e bashkëpunimit në luftën kundër organizatave terroriste dhe për çështjet rajonale me interes të përbashkët.
Kurse me zëvendëskryeministrin e parë dhe ministrin e Punëve të Jashtme të Zelandës së Re, Winston Peters, kryediplomati turk ka biseduar për hapat që mund të bëhen për të çuar në nivele më të avancuara marrëdhëniet dhe bashkëpunimin ndërmjet Turqisë dhe Zelandës së Re.
Çavusoglu është takuar gjithashtu me përfaqësuesen e lartë të Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë dhe njëherësh zv/presidenten e Komisionit Evropian, Federica Mogherini. Ai njoftoi nga media sociale se me shefen e diplomacisë evropiane ka folur për azhurnimin e Marrëveshjes së Unionit Doganor, luftën kundër emigracionit të parregullt, liberalizimin e vizave dhe për çështjet rajonale më të nxehta si Irani dhe Siria.
Ministri i Jashtëm turk është takuar edhe me homologët e tij nga Tajlanda e Malajzia, Don Pramudwinai dhe Saifuddin Abdullah.
I pranishëm edhe në prezantimin e titulluar “Qytetet Inteligjente”, organizuar për delegacionet e Turqisë, BE-së, Zvicrës, Kanadasë dhe Norvegjisë, në kuadër të Takimit 51. të Ministrave të Jashtëm të ASEAN-it, Çavusoglu përfundoi të gjitha kontaktet e tij në Singapor pas programit gala.