Çavuşoğlu: Marrëveshja me SHBA-në për zonën e sigurt në Siri është një fillim i mirë

Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu: Marrëveshja e djeshme mund të cilësohet një fillim shumë i mirë. Nuk do të lejojmë që kjo punë të shndërrohet në udhërrëfyesin e Munbixhit dhe të hyjë në procesin e zvarritjes

0

Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, duke vënë në dukje se është një fillim i mirë marrëveshja e arritur me SHBA-në për zonën e sigurt në veri të Sirisë, tha se “Nuk do të lejojmë që kjo të shndërrohet në udhërrëfyesin e Munbixhit dhe të hyjë në procesin e zvarritjes”, raporton Anadolu Agency (AA).

Çavuşoğlu, në kuadër të Konferencës së 11-të të Ambasadorëve ka mbajtur një konferencë për shtyp në Ankara.

Në vlerësimin e tij lidhur me marrëveshjen e arritur dje me SHBA-në për zonën e sigurt në veri të Sirisë, Çavuşoğlu ka njoftuar se pas udhëzimit të presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, për këtë çështje, presidenti amerikan, Donald Trump, e ka telefonuar presidentin Erdoğan, ku i ka shprehur se SHBA-ja do të tërhiqet nga këtu.

Ndër të tjera Çavuşoğlu ka shpjeguar se me forcën në detyrë dhe Grupin e Punës për Sirinë të krijuar në këtë fazë po përpiqen të koordinojnë procesin e tërheqjes së SHBA-ve dhe procesin e mëpasshëm, ku dhe në këtë kuadër me palën e SHBA-ve i kanë përcjellë njëra-tjetrës dokumentet që shpjegojnë pozicionet reciproke.

Ndërkohë po vazhdojnë edhe punimet teknike në nivel ushtarak, ku si rezultat i kësaj dje është arritur një marrëveshje për përcaktimin e një kornize, ka njoftuar Çavuşoğlu. Më tej ai është shprehur se “Marrëveshja e djeshme mund të cilësohet një fillim shumë i mirë” dhe ka përmendur rëndësinë e formimit të një qendre të përbashkët operacionale në lidhje me detajet dhe hapat që do të hidhen më pas.

– “YPG/PYD dhe PKK duhet të pastrohen plotësisht nga rajoni”

Duke nënvizuar se me palën amerikane do të japin një vendim lidhur me detajet për pjesëmarrjen e institucioneve në fjalë, Çavuşoğlu ka theksuar se “Qëllimi ynë është krijimi i një zone të sigurt. YPG/PYD dhe PKK duhet të pastrohen plotësisht në këtë rajon. Kjo është e gjitha një. Pastrimi i të gjithëve. Këtu lëvizja e përbashkët e SHBA-së me Turqinë fillimisht është në lidhje me sigurinë, dhe pastaj për të stabilizuar rajonin, ashtu si në udhërrëfyesin e Manbij (Munbixh). Kjo po ashtu ka edhe përmasa humanitare si rikthimi i refugjatëve që janë në Turqi dhe të atyre që kanë mbetur të detyruar të emigrojnë nga zona të ndryshme të Sirisë”.

Kjo është një punë gjithëpërfshirëse ka deklaruar kryediplomati turk duke shtuar se “Nuk do të lejojmë që kjo punë të shndërrohet në udhërrëfyesin e Munbixhit dhe të hyjë në procesin e zvarritjes”.

Ndër të tjera ministri Çavuşoğlu ka tërhequr vëmendjen se alternativa tjetër është që ta kryejnë vetë operacionin në fjalë dhe ka theksuar se “Ne do të vazhdojmë të bëjmë çfarë të jetë e nevojshme me udhëheqjen dhe udhëzimet e Presidentit tonë (Recep Tayyip Erdoğan) në mënyrë që të arrijmë rezultatet më të mira të këtij fillimi të mirë”.

– Zgjerimi sërish nga Azia

Në fjalën e tij Çavuşoğlu ka bërë të ditur se Turqia është një vend që bashkon Azinë me Evropën dhe përsa i përket pozicionit gjeografik ajo me rolin dhe aktivitetet e saj ka detyrën e një ure mes Lindjes dhe Perëndimit.

Pasi ka tërhequr vëmendjen se Azia aktualisht ka filluar të bëhet qendra ekonomike e botës, Çavuşoğlu tha se Turqia dëshiron t’i përparojë edhe më tej marrëdhëniet në shumë dimensione me Azinë.

“Disa që mendojnë se janë intelektualë thonë se Turqia është kthyer nga Azia, ka lënë pas dore Perëndimin. Kjo është e gabuar”, ka vlerësuar ministri Çavuşoğlu, duke nënvizuar se zgjerimi i Turqisë “sërish nga Azia nuk është ‘rrëshqitje e boshtit’”.

Lajme të ngjashme

Lini një Koment

Adresa juaj e e-mail-it mbahet e fshehur.