Çavuşoğlu: Duam t’i përmirësojmë marrëdhëniet me Holandën

"Duam t'i përmirësojmë marrëdhëniet me Holandën duke u përqendruar në axhendë pozitive", tha Çavuşoğlu, i cili ka rikujtuar se me Holandën kanë një marrëdhënie dhe një miqësi me një të shkuar më shumë se 400 vjeçare

Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, tha se duan t’i përmirësojnë marrëdhëniet me Holandën duke u përqendruar në axhendë pozitive, raporton Anadolu Agency (AA).

Ministri Çavuşoğlu ka zhvilluar një konferencë të përbashkët në Ankara me homologun holandez, Stef Blok. Në fjalën e tij ai ka rikujtuar se në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Holandën kanë punuar në një bashkëpunim të ngushtë me homologun e tij dhe se kanë patur mundësinë të takohen në platforma të ndryshme.

Pasi ka nënvizuar se në takimin me Blok dhe atë mes delegacioneve kanë zhvilluar bisedime “të sinqerta dhe të frytshme”, shefi i diplomacisë turke theksoi se kanë biseduar se si të mbulojnë mangësitë në marrëdhëniet gjatë boshllëkut 2-vjeçar në periudhën e ardhshme. Ndër të tjera Çavuşoğlu ka tërhequr vëmendjen në rëndësinë e marrëdhënieve ekonomike mes dy vendeve, ku ai ka bërë të ditur se aktualisht kompanitë holandeze në Turqi janë të parat nga pikëpamja e investimit të drejtpërdrejtë, ku dhe Turqia gjithashtu ka rritur investimet e saj në Holandë.

“Kemi përjetuar disa muaj dhe vite negative me ngjarjet e përjetuara 2 vite më parë të cilat janë për të ardhur keq dhe nuk duhet të përsëriten më. Ne besojmë se ato nuk duhet të përsëriten duke marrë mësim nga ato ditë. Pas kësaj, duam t’i përmirësojmë marrëdhëniet me Holandën duke u përqendruar në axhendë pozitive”, tha Çavuşoğlu, i cili ka rikujtuar se me Holandën kanë një marrëdhënie dhe një miqësi me një të shkuar më shumë se 400 vjeçare.

Më tej Çavuşoğlu ka shtuar se me homologun e tij holandez kanë diskutuar shumë çështje duke përfshirë edhe atë të terrorizmit, ku janë dakorduar në çështjen e bashkëpunimit më të ngushtë në ndarjen e informacioneve mes dy vendeve, kryesisht për luftëtarët e huaj dhe luftën kundër terrorizmit.

Pasi ka njoftuar se me Blok kanë diskutuar edhe situatën e komunitetit turk dhe qytetarëve me nënshtetësi të dyfishtë që jetojnë në Holandë si dhe marrëdhëniet Turqi-Bashkimi Evropian (BE), ministri Çavuşoğlu tha se “Sot, ne duam të ringjallim marrëdhëniet tona me Evropën dhe BE. Në Turqi ky vullnet është i pranishëm. Të njëjtën qasje ne e shohim edhe nga BE dhe Evropa. Kjo duhet të vazhdojë”.