Çavuşoğlu: Armenia duhet të tërhiqet në mënyrë që Azerbajxhani të shpallë armëpushimin

"Azerjbajxhani po lufton me terrorizmin në territoret e tij. Azerbajxhani ka kapacitet, fuqi të mjaftueshme për të rimarrë territoret e tij", tha ministri i Jashtëm turk

Ministri i jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, tha se Armenia duhet të tërhiqet nga territoret që ka pushtuar në mënyrë që Azerbajxhani të shpallë armëpushimin, raporton Anadolu Agency (AA).

I ndodhur në Itali në kuadër të një vizite zyrtare, ministri Çavuşoğlu foli në një konferencë të përbashkët për shtyp pas bisedimeve me homologun e tij italian Luigi Di Maio.

Moszgjidhja e problemit për Malësinë e Karabakut mes Armenisë dhe Azerbajxhanit e “inkurajon” Armeninë dhe e “nxit të sulmojë”, deklaroi Çavuşoğlu, i cili shtoi se kjo gjë e ka nxitur Armeninë “edhe në çështjen e vendosjes së armenëve të ardhur në mënyrë ilegale nga vende të tjera”.

Çavuşoğlu vuri theksin se kjo nuk mund të vazhdojë kështu dhe se ky problem duhet të zgjidhet rrënjësisht.

“Nëse komuniteti ndërkombëtar dëshiron të bëjë ndonjë gjë, të tërheqë menjëherë Armeninë nga territoret e Azerbajxhanit”, tha Çavuşoğlu, i cili nënvizoi se si Turqi do të japin mbështetje për të gjitha përpjekjet në këtë drejtim.

Azerbajxhani sot po lufton për të çliruar territoret e tij, deklaroi kryediplomati turk.

“Pra, Azerjbajxhani po lufton me terrorizmin në territoret e tij. Azerbajxhani ka kapacitet, fuqi të mjaftueshme për të rimarrë territoret e tij. Ashtu sikurse e ka thënë edhe presidenti i Azerbajxhanit, ‘Armenia duhet të tërhiqet nga territoret që ka pushtuar në mënyrë që Azerbajxhani të shpallë armëpushimin‘. Ne shpeshherë e bëjmë këtë thirrje. Dhe kjo është një thirrje jashtëzakonisht legjitime”, shtoi Çavuşoğlu.