Leo Messi dhe Cristiano Ronaldo i thonë lamtumirë Kupës së Botës brenda një dite. Pas disfatës së argjentinasit ndaj Francës, tani e ka radhën Ronaldo të përshëndesë Botërorin dhe të shkojë me pushime. Uruguai ka mposhtur Portugalinë 2-1, me shumë fat, dëshirë dhe një mbrojtje të hekur. Pa harruar lojtarin e ndeshjes Edison Cavani…
Sfida nisi mjaft mirë për Portugalinë, por golin e parë e shënuan uruguaianët. Edison Cavani nisi një aksion nga krahu i majtë i sulmit dhe më pas u fut në zonë, ku Suarez e gjeti saktë me një krosim dhe sulmuesi i PSG-së shtyu topin në rrjetën e kampionëve në fuqi të Europës.
Pavarësisht përpjekjeve të portugezëve, pjesa e parë përfundoi me fitoren minimale të uruguaianëve, ndërsa barazimi erdhi vetëm në minutën e 55-të. Pas disa minutave të mira, Portugalia fitoi një goditje këndi, ndërsa krosimi gjeti saktë mbrojtësin veteran Pepe, që me kokë shtyu topin në rrjetë.
Ky ishte goli i parë i pësuar nga Uruguai në Kupën e Botës. Por barazimi zgjati shumë pak minuta, pasi Edison Cavani godet përsëri, këtë herë me një goditje fantastike në hyrje të zonës. Pak më pas ai duhet të dalë jashtë loje pas një dëmtimi që duket se është muskulor. Portugalia sulmon, Uruguai mbron me shumë forca, ky është imazhi i kësaj ndeshjeje, që vazhdon edhe në minutat e fundit.
Përfundon 2-1 për Uruguain dhe tashmë pas Messit, shkon në shtëpi edhe Cristiano Ronaldo, duke bërë që Botërori të humbë plot 10 Topa të Artë.