Bullgaria një zgjidhje për projektin “Rrjedha Turke 2”

Ukraina, bashkë me disa vende evropiane, kundërshton linjën e dytë të projektit "Rrjedha Turke", e cila sipas tyre, do të kontribuojë në rritje të monopolit të Rusisë në tregun evropian të gazit

 Kompania energjetike e Rusisë, Gazprom, do të zgjasë degën e dytë të gazsjellësit “Rrjedha Turke” në Bullgari, transmeton Anadolu Agency (AA).

E përditshmja ruse Kommersant, shkruan se gazi rus do të rrjedh nga Turqia në Bullgari, Serbi, Hungari dhe Sllovaki.

Fillimi i dërgesave të para të gazit natyror në Bullgari dhe Serbi pritet të bëhet në vitin 2020, ndërsa rrjedhja e parë e gazit drejtë Hungarisë do të fillojë në vitin 2021.

Ky variant i transportit të gazit përmes shteteve të lartpërmendura, do të thotë se do të shmangin furnizimet me gaz natyror nëpërmjet Ukrainës.

Ukraina, bashkë me disa vende evropiane, kundërshton linjën e dytë të projektit “Rrjedha Turke”, e cila sipas tyre, do të kontribuojë në rritje të monopolit të Rusisë në tregun evropian të gazit.

Rruga e propozuar, ndjek të njëjtën rrugë të paraparë me projektin “Rrjedha e Jugut” nga viti 2014.

Ndonëse pritet vazhdimi i kundërshtimeve në Evropë, projekti në fjalë është në përputhje me ligjin e konkurrencës në BE.

Ky ligj promovon ruajtjen e konkurrencës brenda Tregut të Përbashkët Evropian, sepse rregullon sjelljet anti-konkurruese të kompanive për të siguruar se ato nuk do të krijojnë kartele dhe monopole që do të dëmtonin interesat e shoqërisë.