Bujar Osmani: Mosmbajtja e konferencës ndërqeveritare, dështim i përbashkët i të gjithëve

Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut kujtoi se ideja e iniciativës për Procesin e Berlinit është inkurajimi i bashkëpunimit rajonal dhe përshpejtimi i integrimit evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor

Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, theksoi se nëse nuk mbahet konferenca ndërqeveritare në Bullgari e planifikuar për në dhjetor, kjo do të jetë një dështim i përbashkët i Maqedonisë së Veriut, Bullgarisë dhe presidencës gjermane, raporton Anadolu Agency ( AA)

Ministri Osmani sot mbajti një konferencë për shtyp mbi aktivitetet e ndërmarra dhe aspektet organizative në kuadër të bashkëkryesimit maqedono-bullgar në Procesin e Berlinit 2020 dhe përgatitjet për samitin përfundimtar në Sofje më 10 nëntor 2020.

Duke iu referuar Procesit të Berlinit 2020, Osmani kujtoi se ideja e iniciativës për Procesin e Berlinit është inkurajimi i bashkëpunimit rajonal dhe përshpejtimi i integrimit evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

“Mosmbajtja e konferencës ndërqeveritare në dhjetor është dështim i procesit dhe kështu barra bie mbi të gjithë, mbi ne si bashkëkryesues, mbi Republikën e Bullgarisë dhe presidencën gjermane, por natyrisht mbi të gjithë pjesëmarrësit në Procesin e Berlinit”, tha Osmani.

Lidhur me deklaratën e kryeministrit Zoran Zaev se qytetarët duhet të jenë të përgatitur pasi mund të mos ketë fillim të negociatave me Bashkimin Evropian (BE) në dhjetor për shkak të mospajtimit të Bullgarisë, Osmani tha se së pari duhet adaptuar për të hyrë në modus të nevojave të vazhdueshme të konsensusit të 27 vendeve anëtare.

“Unë mendoj se ka hapësirë, ka mirëkuptim nga të dy palët për rëndësinë e momentit dhe ka një kapacitet për të gjetur një mënyrë për të ecur përpara në proces duke intensifikuar komunikimin, siç ndodh tani, dhe politikat dhe komisionet”, deklaroi Osmani.

Osmani gjithashtu tha se është i bindur se keqkuptimet me Bullgarinë do të tejkalohen, veçanërisht për kërkesat që prekin identitetin maqedonas, konkretisht gjuhën dhe kombësinë.

I pyetur nga gazetarët rreth debatit publik në parlamentin bullgar për riemërtimin e 24 Majit nga dita e alfabetit sllav në ditën e alfabetit bullgar, Osmani tha se kjo është në kundërshtim me dispozitat e marrëveshjes për miqësi, fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim midis Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë dhe vendimet e komisioneve të historisë.

Ndërkohë, një komision i përbashkët ekspertësh nga Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria takohet në Shkup sot dhe nesër pas një pauze prej dhjetë muajsh për të diskutuar dallimet në histori.