Armando Broja e ka lënë përfundimisht pas krahëve dëmtimin e rëndë të pësuar në fund të vitit të kaluar ndaj Aston Villës dhe është rikthyer në fushat e lojës.
Sulmuesi shqiptar u bë protagonist në derbin londinez me Fulham duke lënë gjurmën e tij në fitoren 2-0 të Bluve të Londrës, që është e dyta për këtë sezon në Premier League angleze.
Armando Broja në këtë ndeshje u aktivizua si titullar dhe ishte gjatë gjithë kohës një kërcënim për mbrojtjen e Fulham. Skuadra e drejtuar nga Mauricio Pochettino, e zhbllokoi rezultatin e ndeshjes në minutën e 18 me Mudryk, me ukrainasin që shënoi golin e tij të parë me Chelsea në një ndeshje zyrtare. Festa nuk ishte shuar ende teksa 60 sekonda më vonë shënoi edhe Armando Broja, edhe për sulmuesin shqiptar bëhet fjalë për golin e parë të shënuar pas dëmtimit.
Broja pati të tjera mundësi shënimi në pjesën e dytë por pa sukses dhe në minutën e 64 u zëvendësua nga Sterling. Në minutat në vazhdim historitë e sfidës nuk ndryshuan dhe rezultati mbeti 2-0 me Chelsea që shkon në kuotën e 8 pikëve në vendin e 11, ndërsa Fulham është i 13, po me 8 pikë.