Britanikët, të penduar për BREXIT

50% e qytetarëve duan përsëritjen e referendumit

Gjysma e britanikëve kërkojnë përsëritjen e referendumit për Brexit, ndërsa 2/3 e qytetarëve mendojnë se qeveria britanike do të përmbyllë një marrëveshje në disfavor të saj gjatë negociatave për shkëputjen e vendit nga BE.

Një sondazh i “Sky”, i zhvilluar me rreth 1500 persona doli në përfundimin se 50 % e qytetarëve kanë kërkuar një referendum i cili do t’i përfshinte 3 alternativa: për largim me marrëveshje të parashtruar nga qeveria, për largim pa marrëveshje dhe për qëndrim në BE.

Linja politike e kryeministres Theresa May, e konsideruar e butë nga mbështetësit e Brexit, duket se ka të njejtin lexim edhe tek qytetarët britanikë. 2/3 e pjesëmarrësve në sondazh mendojnë se qeveria është duke e udhëhequr keq procesin dhe marrëveshjen post-brexit me BE, shkruan Klan.

Britania e Madhe dhe BE janë ende larg gjetjes së gjuhës së përbashkët për shkëputjen e vendit ishullor nga Unioni. May është pro tregtisë së lirë dhe zonave të përbashkëta doganore, por ky qëndrim solli dorëheqjen e dy ministrave të rëndësishëm të kabinetit, ministrit të jashtëm Boris Johnson dhe ministrit të Brexit, David Davis.