Britania paguan influencera shqiptarë në Tik Tok për të frenuar emigrantët

Qeveria britanike po planifikon që të paguajë influencera në Tik Tok që frenojë emigrantët që të kalojnë kanalin, me një fokus të veçantë te Shqipëria dhe vendet e tjera që kontribuojnë në emigrimin e paligjshëm në Mbretërinë e Bashkuar.

Iniciativa, që zbulon The Times, synon t’i drejtohet emigrantëve në vendet pa konflikte, veçanërisht të rinjve në moshë pune dhe familjeve e tyre, duke i inkurajuar ata të marrin në konsideratë rreziqet që lidhen me migrimin e paligjshëm në Mbretërinë e Bashkuar.

Plani është që personave influentë në rrjetet sociale, që janë nga vende me nivele të larta emigracioni të paligjshëm, t’u ofrohen shumë të mëdha parash, me qëllim dekurajimin e udhëtimeve të rrezikshme përmes varkave të vogla.

Sipas raportit, pika që do të theksohet shumë do të jetë rreziku i dëbimit të tyre në Ruandë. Sipas The Times, për këtë fushatë janë akorduar 1 milionë paund ose 1.2 milionë euro. Kjo fushatë do të përfshijë vende si Shqipëria, Iraku, Egjipti dhe Vietnami. Nuk përjashtohet mundësia ë të përfshihen edhe vende si Turqia dhe India.

Një pjesë e madhe e këtij buxheti, rreth 380 mijë paund, do të adresohen për fushatën në Shqipëri. “Multicultural Marketing Consultancy” (MMC) është kontraktuar nga “Home Office” britanike për të përzgjedhur kandidatët e përshtatshëm për të bërë këtë fushatë.

Shqipëria dhe Mbretëria e Bashkuar kanë nënshkruar në dhjetorin e vitit 2022 një marrëveshje bashkëpunimi për riatdhesimin e emigrantëve të paligjshëm dhe nga ana tjetër kanë shprehur vullnetin për të bashkëpunuar për reduktimin e hyrjeve të paligjshme.

Në majin e vitit 2023, dy vendet nënshkruan marrëveshjen për transferimin e të burgosurve shqiptarë në vendlindje në këmbim të një mbështetje që Mbretëria e Bashkuar do të japë për modernizimin e burgjeve shqiptare.

SCAN