Britani, zbulohen emrat e të dyshuarve për sulmin në Salisbury

Prokurorët britanikë thonë se kanë prova të mjaftueshme për të akuzuar Alexander Petrov dhe Ruslan Boshirov si të dyshuar

Prokurorët britanikë sot akuzuan dy shtetas rusë si të dyshuar për sulmin me agjentin nervor në Salisbury që kishte në shënjestër ish-spiunin rus Sergei Skripal dhe vajzën e tij Yulia Skripal më herët gjatë këtij viti, raporton Anadolu Agency (AA).

Zyra e Prokurorisë Mbretërore (CPS) tha se Alexander Petrov dhe Ruslan Boshirov janë në kërkim lidhur me komplotin e vrasjes të Sergei Skripal dhe tentativës për vrasje të Yulia Skripal dhe oficerit të policisë Nick Bailey.

“Është vërtetuar se ka dyshime të arsyeshme dhe prova të mjaftueshme për të ngritur padi kundër dyshes së dyshuar nga Rusia si dhe për të bërë të qartë në interes të publikut me të cilën ngarkohen Alexandar Petrov dhe Ruslan Boshirov”, tha në një deklaratë Sue Hemming, drejtoresha e Shërbimit Ligjor të CPS.

Veprat penale të Petrov dhe Ruslan përfshijnë “përdorimin dhe posedimin e agjentit nervor ‘Novichok’ në kundërshtim me Aktin për Armët Kimike” dhe “shkaktimin e lëndimeve të rënda trupore të Yulia Skripal dhe Nick Bailey”.

Sergei Skripal, 66 vjeç dhe vajza e tij u shtruan në spital pasi u gjetën pa vetëdije më 4 mars në Salisbury.

“Zotëri Skripal dhe vajza e tij u helmuan me një agjent nervor ushtarak të një lloji të zhvilluar në Rusi, në mënyrë specifike nga grupi Novichok”, tha kryeministrja britanike Theresa May pas sulmit.

Incidenti ka çuar në krahasime me vdekjen e ish-agjentit të KGB Alexander Litvinenko të vitit 2006, pasi kishte pirë një çaj radioaktiv. Ish truprojat e KGB-së të identifikuar si të dyshuar për vrasjen, mohuan përfshirjen e tyre.

Ish agjentit Sergei Skripal iu dha strehim në Britani pas një shkëmbimi spiunësh në vitin 2010 midis SHBA-së dhe Rusisë. Para shkëmbimit, ai kishte vuajtur 13 vite burg për dhënie të informacioneve inteligjencës britanike.

Nga gjithsej 121 diplomatë rusë që u dëbuan nga vende të ndryshme të botës, të cilat dolën në mbështetje të Britanisë, 23 diplomatë rusë u dëbuan vetëm nga Britania e Madhe.