Britani, shpëtohen 25 migrantë në brigjet jugore

Autoritetet kufitare kanë ndaluar dy barka në afërsi të qarkut jugor Kent, prej të cilave në njërën janë transportuar pesë të rritur dhe tetë fëmijë, ndërsa në tjetrën gjendeshin 12 të rritur

Rreth 25 emigrantë, përfshirë fëmijë, janë shpëtuar në brigjet e Anglisë jugore, transmeton Anadolu Agency (AA).

Autoritetet kufitare kanë ndaluar dy barka në afërsi të qarkut jugor Kent, prej të cilave në njërën janë transportuar pesë të rritur dhe tetë fëmijë, disa deri në moshën dyvjeçare, ndërsa në tjetrën, që është interceptuar më vonë, gjendeshin 12 të rritur.

“Ne ishim drejtuar në Kanalin e La Manshit për të shkuar në peshkim, kur pashë një barkë të vogël në distancë”, tha një peshkatar për radion lokale Yorkshire Coast Radio.

“Kur u afruam, ne mund të shihnim se atje ishin rreth pesë të rritur dhe tetë fëmijë, ndërsa disa prej tyre nuk mund ishin më shumë se dy vjeç”, shtoi ai.

“Pas marrjes së tyre nga varka e shpëtimit, ne u nisëm mbrapa për të shkuar në peshkim dhe pamë një tjetër varkë të vogël me rreth dhjetë deri në 12 burra që shkonin në drejtim të Folkestone”, tha ai.

Sipas Zyrës së Brendshme, migrantët besohet se janë nga Irani dhe Iraku. Rojet bregdetare janë alarmuar nga autoritetet franceze në orët e hershme të mëngjesit të së dielës dhe varkat e shpëtimit kanë shoqëruar migrantët në qytetet limanore Dover dhe Folkestone.

Incidenti ndodh një ditë pasi 16 migrantë të dyshuar, duke përfshirë dy fëmijë, u shpëtuan nga forca kufitare gjatë kalimit të Kanalit të La Manshit.

Më herët këtë muaj, shtatë migrantë të tjerë, të cilët pohonin se ishin nga Irani, u shpëtuan në të njëjtën zonë dhe u dorëzuan në zyrat e migracionit.