Britani, ngrihen akuzat për 29-vjeçarin e sulmit në “Westminster”

Më pak se 5 ditë u kanë mjaftuar hetuesve britanikë për të ngritur akuzat për “tentativë vrasjeje”, ndaj 29-vjeçarit Salih Khater, nga Birminghami, i cili përplasi disa këmbësorë e çiklistë, përpara se makinën “ta parkonte” në barrierat e Parlamentit britanik.

Ngjarja ndodhi orët e para të mëngjesit të 14 gushtit, kur britaniku me origjinë sudaneze drejtoi mjetin e tij drejt çiklistëve e këmbësorëve përpara “Westminster”-it, vetëm pak para se të përplasej me një nga pengesat dhe të rrethohej nga policë të armatosur rëndë, të cilët bënë arrestimin e tij në flagrancë.

Rasti është trajtuar si një sulm terrorist, thotë një zëdhënës i Policisë Metropolitane të Londrës. Ai pritet të dalë përpara drejtësisë në “Westminster Magistrates’ Court”, të hënën më 20 gusht.

Tre persona mbetën të plagosur në atë incident, i cili u hetua si një rast i lidhur me terrorizmin nga prokurorët, për shkak të vendit ku ndodhi, metodologjisë, si dhe shënjestrave, që ishin civilë dhe oficerë policie./raporton Top Channel

Khater, një shtetas britanik me origjinë nga Sudani, akuzohet tashmë për “tentativë vrasjeje” të personave jashtë Parlamentit, si dhe për “tentativë vrasjeje” të oficerëve të policisë.