Britani e Madhe, jep dorëheqje ministri i Jashtëm, Boris Johnson

Johnson sot pas dite ka paraqitur dorëheqjen e tij tek kryeministrja britanike Theresa May dhe se dorëheqja i është pranuar

Kryeministria e Britanisë ka bërë të ditur se Boris Johnson ka dhënë dorëheqje nga detyra e tij si sekretar i Punëve të Jashtme, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në deklaratën e lëshuar nga Kryeministria e Britanisë u theksua se Johnson sot pas dite ka paraqitur dorëheqjen e tij tek kryeministrja britanike Theresa May dhe se dorëheqja i është pranuar.

Vendimi i Johnson-it erdhi pas dorëheqjes së ministrit për Brexit-in, David Davis. Të dy ministrat njiheshin si “mbështetës të fuqishëm të Brexit-it” në kabinetin e May.

Dorëheqjet erdhën pas një qasjeje të re të Brexit të cilën qeveria e Britanisë e njoftoi të premten dhe parashikon bërjen e marrëveshjeve të veçanta të tregtisë së lirë dhe doganore me Bashkimin Evropian (BE).

Britania me një referendum të mbajtur në qershor 2016 vendosi për t’u larguar nga BE-ja me 52 për qind “po” dhe 48 për qind kundër, dhe më 29 mars 2017 zyrtarisht filloi procesin e ndarjes duke vepruar sipas nenit 50 të Traktatit të Lisbonës.