Brazili ka vuajtur, ka shpërdoruar, por ka arritur të gjejë fitoren e parë në Kupën e Botës. Një fitore që ka ardhur në minutat e fundit nga këmbët e Philippe Coutinho dhe Neymar, të cilët i kanë dhuruar fitoren 2-0 kombëtares së tyre kundër Kosta Rikës.
Kanë qenë këta të fundit që kanë krijuar rastin e parë të rrezikshëm të ndeshjes, me Gamboa-n që ka shpërdoruar një rast të pastër në minutën e 13-të të takimit, duke drguar topin jashtë nga një pozicion i favorshëm brenda zonës së rreptësisë.
Brazili ka gjetur golin në minutën e 26-të, me Gabriel Jesus, por anësori ka anuluar gjithçka për një pozicion jashtë loje. Pas një pjese të parë të mbyllur pa gola, e dyta ka filluar me sulme të vazhdueshme të pesë herë kampionëve të botës, të cilët kanë shkuar disa herë afër golit me Jesus, Neymar dhe Coutinho. I pari është ndalur nga traversa, ndërsa dy të tjerët nga mbrojtja dhe portieri i Kosta Rikës, Keylor Navas.
Brazilianët e nisën mirë pjesën e dytë kur pas pesë minutave Gabriel Jesus tentoi por që goditja e tij u ndal nga shtylla pingule.
Neymar u gjet edhe njëherë në një rast të mirë shënimi, por goditja e tij ballore shkoi jashtë portës.
Në minutën e 78-të, gjyqtari holandez Kuipers akordoi penallti për Brazilin.
Por pasi e shikoi VAR-in, Kuipers e anuloi vendimin e tij dhe e ndëshkoi yllin e PSG-së me karton të verdhë për simulim.
Në minutën e 84-të, ylli i Barcelonës, Philippe Coutinho tentoi me një goditje por që u ndal pa problem nga Navas.
Me të filluar ndeshja shtesë, Gabriel Jesus ndali bukur topin në zonë për të goditur Coutinho i cili shënoi golin e fitores 1-0.
Krejt në minutën e fundit Neymar shënoi golin e dytë pas asistimit të mrekullueshëm nga Douglas Costa 2-0.
Kësisoj Brazili merr primatin në Grupin E me katër pikë, ndërsa Kosta Rika mbetet e fundit pa pikë pas dy ndeshjeve.
Në ndeshjen e ardhshme të fundit në Grupin E, Brazili përballet me Serbinë, ndërsa Kosta Rika luan me Zvicrën.