Braçe, “shembet” edhe amendamenti për fashën e mbrojtur të pagave dhe lojrat e fatit

Shumica parlamentare në Kuvendin e Shqipërisë ka rrëzuar amendamentin e propozuar nga kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Erion Braçe, në kuadrin e ligjit për paketën fiskale dhe buxhetin e vitit 2019, që po votohet nen për nen në seancën plenare të kësaj të hëne. Gjithashtu është rrëzuar edhe amandamenti për tatimin mbi të ardhurat...

Shumica parlamentare në Kuvendin e Shqipërisë ka rrëzuar amendamentin e propozuar nga kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Erion Braçe, në kuadrin e ligjit për paketën fiskale dhe buxhetin e vitit 2019, që po votohet nen për nen në seancën plenare të kësaj të hëne. Gjithashtu është rrëzuar edhe amandamenti për tatimin mbi të ardhurat.

Deputeti socialist Braçe propozoi rritje të TVSH-së për kazinotë, që do ta zhvendosin prej janarit të vitit të ardhshëm veprimtarinë e tyre vetëm në hotele me 5 yje, nga 15% që është aktualisht në 30%.

Por, kjo u refuzua me votë nga shumica parlamentare, kryesisht bashkëdeputetë socialistë. Kryeministri Rama mori menjëherë fjalën në këtë rast, për të sqaruar se një gjë e tillë bëhet pasi “nuk mund të rrisim një taksë për diçka që nuk e kemi për momentin”.

Me këtë ai iu referua mungesës së një hoteli realisht me 5 yje, ndërkohë që shtoi se sot, qeveria ka 15 kërkesa interesi nga brande të ndryshme ndërkombëtare që duan të investojnë në Shqipëri.

Rama vlerësoi si shumë pozitive debatet që janë bërë gjatë seancës, por edhe përpara saj, pasi sipas tij Parlamenti ka nevojë për opozitë.

Erion Braçe deklaroi nga ulësja e tij në Parlament se tashmë ka ardhur momenti që “ligji për tatimin e të ardhurave të ndryshojë, pasi ky vend ka nevojë të mbrojë një fashë të ardhurash të domosdoshme për familjet”. Edhe pse këmbënguli se qeveria “duhet të mbrojë të ardhurat e ulëta dhe minimale për një familje” dhe bëri thirrje që të përballen me një fenomen madhor siç është pabarazia, pasi sipas tij “jemi në hapat e parë të fenomenit të pabarazisë”, edhe ky amendament u hodh poshtë me votë.

Ministri i Financave, Arben Ahmetaj tha se qeveria e ka bërë tashmë një hap drejt mbrojtjes së kësaj fashe, duke ulur tatimin për fashën nag 30 deri në 40 mijë lekë me vetëm 1.89 për qind, ndërkohë që më parë taksohej me 10 për qind, sipas taksës së sheshtë.

Edhe në këtë rast, kryeministri Rama ndërhyri për të dhënë shpjegimet e tij.

“FMN-ja e nisi historinë e marrëdhënies me ne, me kërkesën për të ulur pagat dhe pensionet. FMN-ja na kërkoi taksimin e pagës nga 15 mijë lekë, por ne e refuzuam. Sigurisht që është mirë që të mos dalim nga konteksti nga i cili jetojmë. Por mandatin e parë penguam falimentin e plotë, pasi taksa e sheshtë ishte një grabitje për ata që fitonin më pak”, tha Rama.

E duke përmendur faktin që është zbritur TVSH-ja për librin në 6% dhe sipas tij, jemi në ditën kur bëjmë realitet heqjen e barrës mbi inputet bujqësore, Rama tha se “ne nuk jemi armiqtë e atyre që kanë më shumë, por problemi mbetet dhe ai është varfëria”./TCh