Botërori 2026 do zhvillohet në Amerikën Veriore

FIFA merr vendimin, Kupa e Botës 2026, në 3 shtete dhe me 48 skuadra

Vetëm 24 orë para startit të “Rusi 2018”, FIFA ka marrë një tjetër vendim të rëndësishëm sa i përket vendit organizator të kampionatit Botëror të vitit 2026.

Për herë të parë në historinë e saj Kupa e Botës e vitit 2026 do të zhvillohet në tre vende të ndryshme.

SHBA, Kanadaja dhe Meksika do të presin finalet e e Kupës së Botës 2026, pas votimit që anëtarët e FIFA-s kanë dhënë të mërkurën në Moskë.

Kupa e Botës është zhvilluar edhe më parë në Amerikën e Veriut, fillimisht në Meksikë në vitin 1986 dhe SHBA në vitin 1994. Për Kanadanë kjo është hera e parë që paraqitet si vend organizator i Kupës së Botës.
Në 8 vjet këto tre shtete të Amerikës së Veriut do të përgatisin infrastrukturën e kampionatit Botëror më të madh, me plot 48 skuadra, 80 ndeshje, në harkun e 34 ditëve.
Bëhet fjalët për një vendim historik për Meksikën, vendi i parë që pret tre Kupa të Botës.
Gjithashtu, kjo do të jetë hera e parë për Kanadanë dhe hera e parë që një Botëror organizohet nga tre vende.

Kandidatura e 3 vendeve të Amerikës së Veriut mori 67% të votave, kundrejt 33% të Marokut.

Në këtë kongres votuan 200 federata kombëtare, ndërsa pjesa më e madhe e tyre ishin kundër Marokut. Nga 200 federata, 134 votua shkuan për ofertën e SHBA, Meksikës dhe Kanadasë. Kjo gjë la 65 vota për Marokun dhe ka pasur një federatë (Togo), e cila nuk votoi për asnjë nga alternativat.

Pasi u mbyll votimi, Federata Angleze ka lavdëruar procesin e votimit dhe tha se të dyja ofertat kishin meritat e tyre: “Ne përgëzojmë SHBA-në, Kanadanë dhe Meksikën që fituan të drejtën për të organizuar Kupën e Botës 2026. Të dyja ofertat ishin me cilësi shumë të lartë dhe ne mirëpresim faktin se procesi ishte i hapur dhe transparent.

Ne hedhim votën tonë për ofertën e bashkuar, pasi besojmë që vlerësimi teknik i pavarur bëri përparësitë e tij shumë të qarta. Megjithatë, është e rëndësishme të theksohet se të dyja ofertat u konsideruan se kishin përmbushur kërkesat pritëse dhe një turne në Marok, pranë Evropës dhe në një vend që e do futbollin, pati një impakt të madh për tifozët e futbollit anglezë”, tha një përfaqësues i Federatës Angleze. “Ne jemi të sigurtë se SHBA, Kanadaja dhe Meksika do të bëjnë një ngjarje fantastike dhe do të presin turneun në vitin 2026”, tha FIFA. Në kongresin vjetor të FIFA-s, ishte prezent edhe një delegacion i FSHF-së, i kryesuar nga presidenti Armand Duka.