Mbi 45 vende i janë përgjigjur thirrjes për ndihmë të Turqisë pas tërmetit fatal të së hënës. Disa dhjetëra shtete dhe organizata kanë ofruar asistencë për operacionet e shpëtimit që po kryhen në jug të Turqisë, por edhe në veri të Sirisë.
Konkretisht ka pasur ndihma nga Spanja dhe shumë vende të tjera anëtare të Bashkimit Evropian, të cilat kanë dërguar si pajisje për të gërmuar nën rrënoja, ashtu edhe ekipe shpëtimi.
Ndërkohë, ushtarët rusë kanë zbarkuar në Siri, me Moskën që ka dërguar edhe 4 avionë me skuadra të specializuara dhe pajisje në Turqi.
Edhe Shtetet e Bashkuara janë shprehur të gatshme të ndihmojnë banorët në të dyja anët e kufirit turko-sirian, por Uashingtoni ka përjashtuar kontaktet direkte me qeverinë siriane.
Greqia, e njohur për marrëdhëniet e vështira me Turqinë, ka dërguar një ekip prej 21 anëtarësh, qen kërkimi, pajisje speciale, inxhinierë, mjekë dhe ekspertë të sizmologjisë.
Edhe Izraeli ka dërguar një ekip ushtarak në Turqi, por sa i takon marrëdhënieve me Sirinë, ato janë më armiqësore.
Megjithatë, kryeministri Benjamin Netanyahu ka deklaruar se ka aprovuar një kërkesë për ndihma humanitare për vendin, e ardhur në rrugë diplomatike.
Kërkimet për të mbijetuar vazhdojnë me intensitet.