Borxhi kombëtar i SHBA-së shënoi një moment historik duke kaluar 33 trilionë dollarë për herë të parë, më pak se dy javë përpara se qeveria federale të përballet me një mbyllje të mundshme për shkak të mungesës së autorizimit të financimit.
Borxhi, i cili është i barabartë me shumën e parave të huazuara nga qeveria federale për të mbuluar shpenzimet operative, arriti në 33.04 trilionë dollarë, sipas të dhënave zyrtare të Departamentit të Thesarit.
Një rritje afërsisht 50% e shpenzimeve federale midis 2019-ës fiskale dhe 2021-it fiskal kontribuoi në 33 trilionë dollarë borxh. Uljet e taksave, programet stimuluese dhe ulja e të ardhurave tatimore si rezultat i papunësisë së përhapur gjatë pandemisë Covid-19 ishin faktorë që çuan huamarrjen e qeverisë në nivele të reja.
Çështja e borxhit është në qendër të një situate të bllokuar në kongresin amerikan për një projekt-ligj shpenzimesh që do të mbështeste qeverinë deri në ciklin e ardhshëm të financimit.
Ligjvënësit republikanë po bëjnë presion për më pak shpenzime, ndërsa demokratët mbështesin programet e presidentit amerikan Joe Biden, siç është ‘Akti i Reduktimit të Inflacionit’, i cili vlerësohet të kushtojë më shumë se 1 trilion dollarë gjatë dekadës së ardhshme, sipas një modeli buxhetor të Universitetit të Pensilvanisë.
Republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve publikuan të dielën projektligjin e tyre për të financuar qeverinë deri më 31 tetor në këmbim të një shkurtimi prej 8% në programet e brendshme me përjashtime për sigurinë kombëtare.
Por ky projektligj nuk pritet të kalojë në Senatin e kontrolluar nga demokratët. Një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë tha se rritja e borxhit ishte nxitur nga triliona dollarë në uljet e taksave republikane “duke anuar ndaj korporatave të pasura dhe të mëdha” gjatë 20 viteve të fundit. Kongresi ka afat deri më 30 shtator për të miratuar një projektligj për shpenzimet.
Dorina Kurtaj /SCAN