Borrell mbledh liderët e rajonit në Bruksel

Joseph Borell do të mbledhë në një darkë jozyrtare në Bruksel liderët e Ballkanit Perëndimor, të mërkurën. Këtë e konfirmoi Zëdhënësi i BE-së Peter Stano.

Stano tha se gjatë darkës do të diskutohet për të ardhmen e rajonit dhe sfidat kryesore me të cilat ky i fundit po përballet.

“Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë Josep Borell vazhdon traditën e ftesës së liderëve të Ballkanit Perëndimor në një darkë joformale dy herë në vit, për të diskutuar të ardhmen e rajonit dhe sfidat kryesore me të cilat rajoni po përballet. Sfidat përfshijnë situatën në rajon, marrëdhëniet BE-Ballkani Perëndimor, pritshmëritë për anëtarësim në BE dhe kontekstin më të gjerë gjeopolitik”, tha Stano.

Ndonëse pjesëmarrja në darkë është në nivel presidentësh apo kryeministrash, nuk dihet nëse do të jenë të pranishëm kryeministri i Kosovës Albin Kurti apo presidentja Vjosa Osmani, pasi të dy ndodhen në SHBA.

Ndërkohë, presidenti serb Aleksandar Vuçiç ka konfirmuar se do të jetë i pranishëm në Bruksel, me ftesë të Josep Borellit.