Bordi presidencial diskuton zgjedhjet e vitit 2023 në Türkiye

Bordi i Lartë Konsultativ Presidencial ka diskutuar për zgjedhjet e ardhshme të vitit 2023 në Türkiye nën kryesimin e presidentit turk, Recep Tayyip Erdoğan, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas një njoftimi nga drejtori i komunikimit në presidencën turke, Fahrettin Altun, presidenti Erdoğan dhe anëtarët e bordit mbajtën një takim tre-orësh me dyer të mbyllura në kompleksin presidencial në kryeqytetin Ankara, ku diskutuan vizionet e ‘Shekullit të Türkiyes’.

Sipas njoftimit, bordi theksoi se Türkiye në 20 vitet e fundit ka përjetuar periudhën më të qëndrueshme politike në historinë e Republikës.

Presidenti turk tha se ata kanë projektuar vizionin e ‘Shekullit të Türkiyes’ si shekullin e qëndrueshmërisë, paqes, suksesit, besimit, stabilitetit, prodhimit, efikasitetit, fuqisë, komunikimit, shkencës, zhvillimit, paqes, vlerave, drejtësisë, dhembshurisë, pavarësisë, të ardhmes dhe të rinjve.

Në fund të muajit tetor, presidenti Erdoğan, kryetar i Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK), zbuloi një sërë programesh, projektesh dhe objektivash përpara zgjedhjeve presidenciale dhe të përgjithshme të vitit të ardhshëm.