Bordi i Transparencës, Abazi:Pse nuk bëhet publike kostoja e fitimit të kompanive të naftës

Boiken Abazi ka kërkuar transparencë për strukturën e çmimit për 1 litër naftë në Shqipëri. Me anë të një postimi në Facebook, Abazi ka kërkuar që të bëhet publike se sa është kosti dhe marzhi i fitimit për kompanitë që shesin me shumicë por edhe për ato që shesin me pakicë. Ai shkruan se publiku ka të drjetë të dijë se sa është kufiri i fitimit të lejuar nga qeveria Rama për naftën.

Postimi i Plotë:

Bordi i (mos)Transparencës për çmimin e naftës dhe nënprodukteve të saj Sot u bë publik Akti Normativ i Këshillit të Ministrave (shiko dokumentin më poshtë) për çmimin e naftës, benzinës dhe gazit. KM Rama pati premtuar se ky Bord do të bënte publike kostot dhe marzhin e fitimit në kufij minimal, si dhe do të caktonte çmime tavan nga njëra ditë te tjetra. Akti Normativ tregon se nafta u ul sot me 6 lekë, duke caktuar çmimin (ende shumë të lartë) 217 lekë (të reja) për litër.

Mirëpo, pse nuk po bëhet transparencë e plotë për strukturën e çmimit për 1 litër naftë në Shqipëri? Sa është kosto dhe sa është marzhi i lejuar i fitimit për kompanitë që shesin me shumicë dhe ato me pakicë? Kosova e ka bërë publike prej datës 1 mars, duke caktuar marzhin e fitimit 4% për shitjen me shumicë, dhe 6% për shitjen me pakicë. Publiku në Shqipëri ka të drejtën të dijë nga “Bordi i Transparencës” sa është ky “kufiri minimal i marzhit të fitimit” i lejuar nga qeveria Rama për kartelin e naftës në Shqipëri? Nuk harrojmë që ndaj këtij karteli nuk po vendoset asnjë penalizim për rritjen spekulative dhe të koordinuar të çmimit të naftës në fillim të kësaj jave kur çmimi vajti mbi 260 lekë (të reja) për litër.