Bora “izolon” Vllazninë, kuqeblutë nuk kanë fushë për t’u stërvitur

Që prej pasdites së djeshme, ekipi i Vllaznisë është i grumbulluar në ambientet e “Gardenland Resort”. Kjo për ta mbajtur skuadrën nën kontroll dhe në një regjim të fortë spotiv, në prag të ndeshjes së të mërkurës me Laçin, në fushën e këtij të fundit.

Por në fakt, kuqeblutë kanë një shqetësim jo të vogël. Edhe në ambientet ku janë të grumbulluar, ata janë të rrethuar nga bora, por jo vetëm kaq. Problemi kryesor për stafin teknik është stërvitja e sotme. Shkodra është e mbuluar nga bora dhe të gjitha fushat sportive janë të papërdorshme. Në rrethana të tilla, ende nuk dihet se ku do të zhvillohet stërvitja e sotme. “Në Reshit Rusi” ka rreth 20 cm borë dhe normalisht që nuk mund të bësh stërvitje aty. E vetmja zgjidhje është që skuadra “të mbyllet” ose në ndonjë kalçeto, ose në palestër sërish.

Kjo padyshim që krijon problem, sepse të dielën skuadra shkodrane ka qenë në Gjirokastër, të hënën është stërvitur në palestër dhe i bie që të dalë në fushë nesër ndaj Laçit pa e prekur fare fushën e stërvitjes.

/telesport.al/