Deputeti i PD, Luçiano Boçi deklaroi sot se 133 mijë nxënës e studentë kanë braktisur arsimin.
Në deklaratën për mediat, Boçi tha se “me 133 mijë nxënës dhe studentë që kanë braktisur shkollën në 4 vjet, arsimi është në pikën e tij më dramatike të 28 viteve pruralizëm, ndërsa Shqipëria i ngjan një vendi me bilanc lufte. Por nga Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla dhe Kryeministri Edi Rama, dy përgjegjësit kryesorë për dështimin e arsimit ne Shqipëri, nuk ka asnjë reagim. Ata duan ta kalojnë në heshtje faktin tronditës se 1 në 6 fëmijë dhe të rinj ka braktisur shkollën në 4 vitet e para të keqqeverisjes së tyre.”
Ai tha se qeveria hesht para këtyre shifrave tronditëse, shkruan ATSH.
“Edi Rama dhe Lindita bëjnë sikur asgjë nuk ka ndodhur, pavarësisht se: arsimi 9 vjeçar është braktisur nga 57,403 nxënës, arsimi mesëm nga 31,875 nxënës, arsimi i lartë është braktisur nga 44,425 studentë. Edi Rama dhe Lindita Nikolla po e kalojnë në heshtje këtë dëm historik për të ardhmen e vendit, sepse ata janë përgjegjësit kryesorë për rënien drastike vit pas vitit të buxhetit të arsimit”, tha ai.
Boçi shtoi se “Partia Demokratike premton se me të ardhur në pushtet prioriteti i saj do të jetë arsimi”.