Blendi Klosi: Ndryshime dhe risi kërkohen kudo në botë. Synojmë Lokalet 2019

“Bashkëqeverisja nuk do të përfundojë këtu, do të vazhdojë edhe më tej. Qytetarëve do të përpiqemi t’u zgjidhim gjithmonë hallin, ndërsa masa ndëshkimore ndaj shkelësve është shumë e madhe. Këtë gjë nuk e kemi gjë të re, por e kemi filozofi”, do të shprehej mes të tjerave ministri socialist Blendi Klosi...

“Bashkëqeverisja nuk do të përfundojë këtu, do të vazhdojë edhe më tej. Qytetarëve do të përpiqemi t’u zgjidhim gjithmonë hallin, ndërsa masa ndëshkimore ndaj shkelësve është shumë e madhe. Këtë gjë nuk e kemi gjë të re, por e kemi filozofi”, do të shprehej mes të tjerave ministri socialist Blendi Klosi…

Por, brenda kësaj filozofie u duk sikur Klosi foli për një qeverisje të mbarë dhe të mirë…

“Jo, po thoja se ne pranojmë që kemi defekte, si çdo qenie administrative apo njerëzore. Ne nuk jemi as engjëj, e as më të mirët e kësaj bote. Por ne kemi një cilësi, që e dëshmuam edhe me lëvizjet e fundit: ne dimë të reflektojmë! Edi Rama di të reflektojë, mazhoranca di të reflektojë, Partia Socialiste di të orientohet në shërbim të interesave të qytetarëve. Këtë dimension tonin, të tjerët e kanë, për të mos thënë fare, shumë-shumë të vogël. Pas ngritjes së studentëve në protestë, të gjithë e mirëpritën. Sapo dalin titullarët e opozitës, të të dy partive të mëdha në opozitë, njerëzit nuk mund të mirëpresin ato gjëra që thuhen nga disa njerëz që kanë drejtuar sistemin për vite e dekada të tëra dhe kanë bërë një pjesë shumë të madhe të gabimeve, për të cilat studentët protestojnë sot”, tha Klosi.

Në fund të intervistës është risjellë në vëmendje një reportazh i ZDF-së gjermane, mbi situatën jo vetëm politike, por edhe sociale të Shqipërisë. Ai flet për një pakënaqësi mbarëpopullore në raport me të gjithë klasën politike dhe një zhgënjim.

A janë konshientë për këtë qeveritarët dhe a ka një ndryshim, apo kanë në fokusin e tyre një qëllim për të ndryshuar? Shqipëria faktikisht nuk është edhe aq “digjitale” edhe për qytetarët në Kukës apo në Konispol. A mos duhet të ulet pak me “këmbë në tokë” qeveria, e cila është në gjysmën e mandatit të dytë dhe duket shumë e konsumuar për të shkuar deri në fund të mandatit?

“Koha e politikës nuk mbaron kurrë. Në politikë kërkohen gjithmonë ndryshime. Ndryshohet një grup për të ardhur një grup tjetër, për të bërë edhe më mirë. Në këtë kuadër, nuk është se ka protesta apo lëvizje antipolitike vetëm në Shqipëri, por kudo. Bota është si një tren, ku përditë e më shumë kërkohen risi dhe qeverisje të reja. Ne këtë dimension kemi dhe ato çfarë ne bëmë dëshmuan që nuk mund të ecnim më tej pa bërë ndryshime në sektorë të caktuar, jo vetëm në nivel qeverisës, në nivelin e lartë, por edhe në nivele të tjera, për t’iu shërbyer më mirë njerëzve”, deklaroi Klosi.

Protesta e studentëve, që nisi në dhjetor e po vazhdon edhe në këtë fillim viti të ri, detyroi kryeministrin Rama të ndyshojë gjysmën e qeverisë, e cila ka mbetur e paplotë për shkak të mosdekretimit të të gjithë ministrave të rinj.

“Mendoj se ka qenë një diskutim i brendshëm i yni, se kishte ardhur momenti që ne duhej të rigrupoheshim për t’u përgatitur për fushatën e ardhshme elektorale”, u shpreh ai.

Klosi theksoi se partitë funksionojnë të tilla, kanë detyrën që të qeverisin kur janë në pushtet, por si strukturë partiake në politikë kanë detyrën kryesore të fitojnë zgjedhjet.

“Në kuadër të synimit për fitoren e zgjedhjeve të ardhshme, por edhe për t’i dhënë një impuls të ri të gjithë qeverisjes së vendit, duke kombinuar forcën e grupit dhe forcën e drejtimit qeverisës, u bë ky ndryshim i qeverisë, i cili përkoi me protestën e studentëve. Kjo e fundit padyshim që ka nevojë të analizohet, diskutohet, të kuptohet përse ndodhi, si ndodhi dhe sesi po menaxhohet. Por duhet thënë se ndryshimet nuk erdhën vetëm nga momenti i studentëve. Pikërisht tani duhej të kishte një reflektim, e këtë e bëmë përmes forumeve tona partiake”, tha Klosi.

Klosi, së bashku me ministren e Shëndetësisë, ishin dy njerëzit e paralajmëruar se, në rast se nuk plotësojnë detyrat që kryeministri tha se iu ka ngarkuar, do të ishin në listën e të shkarkuarve. Cilat ishin këto detyra që u thanë nga kryeministri, por ne nuk i mësuam?

“Detyra kryesore e ministrit të Turizmit është që turizmi të ecë mirë në Shqipëri dhe në fakt kemi pasur diskutime të hapura e publike, që në harkun e dy viteve në drejtimin e këtij dikasteri, ne të kishim mundësi që në Shqipëri të kishim një hov cilësor të turizmit shqiptar, të kishim jo vetëm shtim të numrit, siç ishte i suksesshëm viti që sapo mbyllëm, por të kishim në Shqipëri edhe prani të disa markave të njohura të hoteleve me 5 yje, e mbi to të ngrihej e gjithë filozofia e investimeve të rëndësishme në fushën e turizmit. Ato kanë nevojë që brenda qershorit të këtij viti të demonstrojnë se Shqipëria është e gatshme të presë të huaj”, tha Klosi.

Kjo lë të kuptohet se flitet vetëm për objektiva institucionale, e asgjë tjetër politike.

“Padyshim që ne kemi dy funksione, si administrator publik në drejtimin e një institucioni, për të cilin folëm. Por unë kam edhe detyrën e drejtuesit politik të Qarkut të Beratit, ku edhe rezultati, pritshmëria apo mbështetja që do të na japin votuesit e Beratit do të jetë një tregues më shumë për gjithësecilin nga ne”, tha Klosi.

Sipas tij, detyra kryesore e institucionit që ai drejton, është që hapja e sezonit të ri turistik në maj-qershor ta gjejë Shqipërinë me më shumë kapacitete turistike dhe infrastrukturë turistike më të përgatitur.

E pavarësisht se Klosi e konsideron “normalitet” shkarkimin e gati gjysmës së qeverisë, opozita thotë apo e komenton si rënie të qeverisë, apo të kryeministrit dhe mazhorancës.

“Ju e cilësoni shkarkim, opozita thotë qeveria ra, ndërsa për ne ishte një ndryshim krejt normal i personaliteteve brenda të njëjtit grupim politik, brenda të njëjtës filozofi. Kemi pasur diskutime të gjata për mënyrën sesi ne do ta ridimensionojmë veten tonë, sesi do t’i riparaqitemi publikut me objektiva të qarta jo vetëm për fushatën e ardhshme elektorale, që për ne ka nisur, por për atë çfarë ne duhet ta paraqesim Shqipërinë në kuadër të një hapjeje të re që kemi me Bashkimin Europian, një situate të re në rajon, një nevoje për një zhvillim më të fortë ekonomik të vendit, duke njohur meritat e asaj që kemi bërë në këto 5-6 vite në qeverisjen e vendit.Por mbi të gjitha, sesi ne, në 2 vitet e fundit të mandatit të dytë të bëhemi gati si forcë politike që të shkojmë të ndershëm para qytetarëve në garën e ardhshme elektorale”, tha Klosi./Top Channel