Blendi Klosi: Investime në infrastrukturë dhe në energji për zhvillimin e turizmit malor

Investimet në infrastrukturë dhe në energji në zonën  malore të Alpeve janë pjesë e projektit të prezantuar nga ministri i  Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi.

Investimet në infrastrukturë dhe në energji në zonën  malore të Alpeve janë pjesë e projektit të prezantuar nga ministri i  Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi.

Në takimin e zhvilluar me operatorë të ndryshëm turistikë dhe investitorë, Klosi theksoi se do të ofrohen lehtësira fiskale për biznesmenët që do të investojnë në atë zonë  pa e dëmtuar mjedisin.

“Fondi Shqiptar i Zhvillimit, i cili e ka mbështetur strategjinë dhe tashmë mbështet investimet në atë zonë, ka një paketë të plotë investimesh, por me investime tradicionale. Ajo që kemi rënë dakord në Këshillin Kombëtar të Rregullimit të Territorit është që investimet dhe për infrastrukturën rrugore në zonën e Alpeve të jenë investime që do t’i pranojë natyra e asaj zone, të jenë rrugë që do të quhen rrugë të bardha apo rrugë të cilat nuk pranojnë asfaltin. Të kemi mundësinë që të investojmë në realizimin e ujësjellës-kanalizimeve dhe energjisë elektrike, por të gjitha këto investime të jenë në përputhje me traditat e zonës”, u shpreh Klosi.

Klosi shtoi se turistëve do t’u ofrohen guida për zonën, të cilat do t’i informojnë ata mbi pikat turistike dhe historinë e Alpeve Shqiptare.

“99% e turistëve të pyetur duan të rikthehen për të vizituar Alpet dhe 100% e tyre e sugjerojnë për miqtë e tyre, kolegët, që të vizojnë Alpet shqiptare. Pra këtë magji që kanë Alpet shqiptare ne do duhet ta promovojmë sa më shumë. Me materialet si ky i sotmi, të thjeshta, por dhe shumë të goditura, ne do të vazhdojmë të bëjmë promovimin e kësaj pasurie kombëtare”, shtoi Klosi.

Në këtë takim ishin të pranishëm dhe operatorë të ndryshëm turistikë, të cilët u shprehen për llojet e ndërhyrjeve që duhen bërë për përmirësimin e infrastrukturës në zona të ndryshme turistike, por edhe për informimin e vizitorëve për potencialet që ofron vendi ynë.