Bizneset në Britani kërkojnë ‘aksion’ para Brexit-it

Bizneset britanike kanë kritikuar politikanët se janë fokusuar në garë të brendshme në vend se të përgatiten për Brexit, duke paralajmëruar se nuk ka kohë të mjaftueshme për largim të Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian pa pakt.

Bizneset britanike kanë kritikuar politikanët se janë fokusuar në garë të brendshme në vend se të përgatiten për Brexit, duke paralajmëruar se nuk ka kohë të mjaftueshme për largim të Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian pa pakt.

Teksa ky proces pritet të ndodhë pas 100 ditësh, disa kompani kanë thënë të jenë “tmerruar” nga debatet dhe mospajtimet që po vazhdojnë në Parlamentin britanik. Kabineti i këtij shteti është takuar të martën për të shpejtuar përgatitjet për një largim të Britanisë nga BE-ja pa pakt.

Mirëpo për kompanitë e biznesit ideja se mund të menaxhohet një Brexit “pa marrëveshje” nuk është e besueshme. Në një deklaratë të përbashkët, Dhomat për Tregti të Britanisë dhe institucione tjera biznesi kanë thënë se “mungesa e përparimit në Westminster nënkupton se rreziku për Brexit pa marrëveshje është duke u rritur”.

Qeveria britanike ka njoftuar të martën se u ka dërguar letra 140,000 bizneseve, duke iu bërë thirrje për të shpejtuar planet e tyre duke u bazuar në mundësinë e Brexitit pa pakt.

Edhe komisioni evropian do të publikojë planet e tij rezervë në rast të një Brexiti pa marrëveshje, një përpjekje kjo për të minimizuar dëmet në një skenar të tillë.

Propozimet kanë si qëllim të kufizojnë problemet në fusha kyçe si financa dhe transporti nëse Brexiti në mars jetësohet pa një marrëveshje. Kështu, ndërsa plani i propozuar nga Theresa May për daljen nga unioni është në buzë të humnerës, të dyja palët kanë nisur përgatitjet për skenarin më të keq të mundshëm./TCh