Bizneset e Vogla dhe të Mesme, motori i ekonomisë, angazhojnë 81.6% të të punësuarve

Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme (NMV) janë motori i ekonomisë, pasi dominojnë punësimin, shitjet dhe Vlerën e Shtuar.

Sipas të dhënave të INSTAT, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në vitin 2021 kontribuuan me 81.6% të punësimit total, ndërsa në BE, kontributi i NMV-ve në punësim është 64.4%. Përqindja e NVM është me totalin e ndërmarrjeve 99,8%, i njëjtë me BE.

Të dhënat tregojnë se 99,8% e ndërmarrjeve aktive në vend janë të vogla dhe të mesme, 79% e shitjeve neto realizohen nga kjo kategori, 74% e investimeve kryhen nga NMV-të dhe kontribuojnë në 76% të vlerës së shtuar.

Rreth 10,6 % e shitjeve neto të NVM shkojnë për eksport. Ndërmarrjet e mesme kryejnë përqindjen më të lartë të eksporteve me 18,3% të shitjeve neto të realizuara prej tyre. Mikrondërmarrjet eksportojnë vlerën më të ulët ku rreth 4,5% të shitjeve neto janë eksportuar.

Mikrondërmarrjet kanë përqindjen më të lartë të punësimit në sektorin e akomodimit dhe shërbimit ushqimor me 69,0%.

Ndërmarrjet e vogla kanë përqindjen më të lartë të punësimit në sektorin e industrisë nxjerrëse me 29,5%. Ndërmarrjet e mesme kanë përqindjen më të lartë të punësimit në sektorin e industrisë përpunuese me 38,1%.

Mikrondërmarrjet kanë përqindjen më të lartë të vlerës së shtuar në sektorin e akomodimit dhe shërbimit ushqimor me 52,5%.

Ndërmarrjet e vogla kanë përqindjen më të lartë të vlerës së shtuar në sektorin e energjisë elektrike, ujit dhe menaxhimit të mbetjeve me 36,5 %. Ndërmarrjet e mesme kanë përqindjen më të lartë të vlerës së shtuar në sektorin e industrisë përpunuese me 40,1%.

Ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme(NMVM-të) janë tërësia e ndërmarrjeve në të cilat punësohen më pak se 250 persona dhe realizojnë një shifër afarizmi ose një bilanc total vjetor jo më të madh se 250 milionë lekë.

Ndërmarrje e vogël konsiderohet një ndërmarrje me më pak se 50 persona të punësuar, e cila ka një shifër afarizmi ose bilanc total vjetor jo më të madh se 50 milionë lekë.

Mikrondërmarrje konsiderohet një ndërmarrje me më pak se 10 persona të punësuar, e cila ka një shifër afarizmi ose bilanc total vjetor jo më të madh se 10 milionë lekë.

Ndërmarrje e mesme konsiderohet një ndërmarrje me 50 persona të punësuar deri në 249 persona të punësuar, e cila ka një shifër afarizmi ose një bilanc total vjetor nga 50 milionë lekë deri në 250 milionë lekë.