Bindja e trajnerit të Kombëtares: Napoli fiton edhe Champions League

Napoli po dominon Serie A dhe fitimi i titullit kampion është vetëm çështje kohe duke llogaritur 18 pikët diferencë me ndjekësit.

Fokusi është në Champions League, kompeticion ku skuadra e Spallettit është shumë afër kalimit në raundin çerekfinal.

Napoli fitoi 0-2 përballë Eintracht Frankfurt në Gjermani. Sfida e kthimit do të zhvillohet në “Diego Maradona” të mërkurën e 15 marsit.

Trajneri i kombëtares së Nigerisë, Jose Peseiro mbush plot elozhe skuadrën italiane, duke theksuar se nuk sheh rivalë më të fortë në Europë.

“Unë mendoj se Napoli, përveç fitimit të kampionatit italian, mund të synojë edhe triumfin në Champions League.

Them kështu sepse për momentin nuk shoh ndonjë skuadër superiore krahasuar me të tjerat. Sigurisht që ka skuadra plot kampionë si Reali i Madridit dhe Bayern Munchen.

Ata janë favoritë për fitimin e Champions League, por nuk i cilësoj si skuadra të pamposhtura. 18 pikët diferencë i mundësojnë Spallettit të menaxhojë mirë forcat deri në fund.

Por ka rëndësi të madhe që lojtarët vendimtarë si Osimhen dhe Kvaratskhelia të vijojnë të jenë në formë të mirë”, deklaroi trajneri portugez.