Bien kampionët, Meksika gjunjëzon Gjermaninë në Moskë

Debutim zhgënjyes për kampionët e botës, Meksika u jep leksion...

Në “Luzhniki Arena” ka ndodhur surpriza më e madhe deri në këtë pikë të Kupës së Botës, pasi Meksika fitoi 1-0 ndaj Gjermanisë, kampione e botës në fuqi.

Skuadra e Low vijon formën e dobët, që e karakterizon që prej muajit Tetor të vitit të kaluar, ndërsa edhe sot ndaj Meksikës nuk arriti të dalë në lojën e saj.

Meksika e nis super, Gjermania ka shumë punë për të bërë, sepse sot shfaqi defekte të mëdha.

Meksikanët gjetën golin e avantazhit në minutën e 35-të me anë të Lozano, pas një aksioni mjaft të bukur, ndërsa vazhdimisht ishin kërcënues në kundërsulmet e tyre.

Nga ana tjetër, kampionët në fuqi të botës e rritën intensitetin e sulmeve me kalimin e minutave, por nuk arritën të thyejnë portierin Oçoa dhe të gjejnë golin e barazimit.

Ky ishte goli i parë i pësuar nga Gjermania në një Kupë të Botës, pas 563 minutash, që nga ndeshja kundër Ganës në “Brazil 2014”. Meksika nuk e humbiste topin dhe sa herë e kishte në zotërim vinte në vështirë mbrojtjen e kampionëve të Botës.

Në pjesën e dytë, Gjermania dominoi në qarkullimin e topit dhe teriotarialisht, por pa e thyer për asnjë moment mbrojtjen e Meksikës.

Vlen për t’u përmendur se në 15 minutat e fundit të ndeshjes te Meksika luajti edhe Rafael Marquez, i cili barazoi rekordin me pesë pjesëmarrje në historinë e kampionateve botërore.

Në ndeshjen tjetër, Gjermania duhet të fitojë me çdo kusht ndaj Suedisë, për të pretenduar kualifikimin, ndërsa Meksika e sheh veten në një pozitë të favorshme në Grupin F dhe do të ndeshjet me Korenë e Jugut.

Tani kë këtë grup, Meksika ka primatin me tri pikë, ndërsa nesër (e diel) zhvillohet ndeshja tjetër në mes të Suedisë dhe Koresë së Jugut.