Bie qeveria e kancelarit Kurz, Austria shkon në zgjedhje

Kërkesa për votëbesimin e qeverisë së 32 vjeçarit Kurz, u parashtrua nga Social Demokratët, ndërsa u mbështet nga partneri i deritanishëm i qeverisë së Kurzit, Partia e Lirisë

Qeveria austriake e kancelarit Sebastian Kurz, nuk e mbijetoi votëbesimin në Parlament, me çka tashmë vendi shkon në zgjedhje të parakohshme parlamentare, raporton Anadolu Agency (AA).

Ky është epilogu i skandalit me publikimin e videos sekrete në të cilën ish-lideri i të djathtës ekstreme, njëherësh zëvendës kancelar i vendit, Heinz-Christian Strache, i ofronte mbesës së rreme të një milioneri rus, kontrata me shtetin në këmbim të mbështetjes financiare për partinë e tij politike.

Strache më vonë dha dorëheqje nga posti i zëvendës kancelarit, për çka Kurz bëri thirrje për zgjedhje të parakohshme duke i dhënë fund koalicionit mes partisë së tij konservatore, Partia Popullore (OeVP) dhe partisë së Strache të ekstremit të djathtë, Partia e Lirisë (FPOe).

Kërkesa për votëbesimin e qeverisë së 32 vjeçarit Kurz, u parashtrua nga Social Demokratët, ndërsa u mbështet nga partneri i deritanishëm i qeverisë së Kurzit, Partia e Lirisë.

Presidenti i Austrisë, Alexander Van der Bellen, ditë më parë u shpreh kundër “prishjes” së qeverisë kalimtare, dhe me rastin e betimit të ministrave të rinj u bëri thirrje politikanëve të mos mendojnë duke vënë fillimisht partinë, por të mendojnë për shtetin deri në zgjedhjet e parakohshme.