Biden njofton sanksione ndaj Rusisë: Inkursioni në Ukrainë, nisja e një pushtimi

Në përgjigje të hyrjes së trupave ruse sonte në rajonet separatiste ukrainase Lukansk e Donbas, SHBA, Britania dhe BE kanë shpallur sanksione financiare ekonomike e politike ndaj individëve dhe entiteteve të përfshira.

Në një prononcim të fundit presidenti amerikan Joe Biden tha se të tjera sanksione nga SHBA do të vijojnë kundër asaj që quante “nisje të pushtimit” të Ukrainës.

Fjala e tij i bënte jehonë asaj të ministrit britanik të shëndetësisë Sajid Javid i cili tha më herët se “pushtimi i Ukrainës ka nisur.”

Bashkimi Evropian ka njoftuar sonte (e martë, 22.02.2022) sanksione ndaj 351 anëtarëve të Dumës ruse që votuan pro njohjes së republikave të vetë-shpallura të Donetsk e Luhansk, në lindje të Ukrainës.

Blloku gjithashtu vendosi të dënojë 27 individë dhe entitete të akuzuar për destabilizim të Ukrainës, për luftë me fushatë dezinformimi dhe për mbështetje financiare për dy rajonet separatiste.

Objektiva të sanksioneve janë sektorët politikë, ushtarakë, biznesi e media, të cilët do të goditen me ngrirje të aseteve dhe ndalim udhëtimi, çka do të thotë se personat nuk mund të udhëtojnë përmes territorit të BE.