Besimtarët muslimanë në rajon falin namazin e Fitër Bajramit

Përskaj pandemisë së koronavirusit të ri COVID-19, besimtarët muslimanë u drejtuan nëpër xhami nën masa mbrojtëse nga pandemia COVID-19

Besimtarë të shumtë muslimanë janë mbledhur së bashku në xhamitë në kryeqytetet Shkup, Tiranë dhe Prishtinë, por edhe në qytete tjera për të falur namazin e Fitër e Bajramit, që është një nga festat më të mëdha të fesë Islame, raporton Anadolu Agency (AA).

Përskaj pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19), besimtarët muslimanë u drejtuan nëpër xhami nën masa mbrojtëse nga pandemia e koronavirusit të ri (COVID-19).

Tirana fal namazin e Fitër Bajramit në sheshin “Skënderbej”

Besimtarët muslimanë në Shqipëri kanë falur namazin e Fitër Bajramit, në sheshe, por edhe në xhamitë e vendit.

Programi qendror për faljen e namazit të Fitër Bajramit është mbajtur në Sheshin “Skënderbej” në Tiranë, sipas protokollit të masave kundër pandemisë COVID-19.

Pjesë e ceremonisë qendrore në Tiranë ishin edhe leximi i Kur’anit, ligjërata dhe hytbeja.

Ndërkohë, namazi i Fitër Bajramit është falur edhe në xhamitë në të gjithë Shqipërinë, duke u mbledhur së bashku besimtarët muslimanë.

Maqedoni e Veriut, namazi falet duke respektuar masat COVID-19

Manifestimi qendror me rastin e Fitër Bajramit u organizua në Xhaminë e Mustafa Pashës në kryeqytetin Shkup, nën kujdesin e Bashkësisë Fetare Islame (BFI).

Xhamia historike e Mustafa Pashës ishte e mbushur me qytetarë, të cilët erdhën për të falur namazin e kësaj feste, përfshirë edhe oborri i kësaj xhamie, por duke ndjekur rregullat kundër përhapjes së virusit, me maska dhe distancë.

Në programin kushtuar kësaj feste u kënduan ilahi në gjuhën shqipe, turke dhe atë boshnjake.

Namazin e Fitër Bajramit e drejtoi myftiu i Shkupit, Qenan Ismaili, ndërsa hutben e lexoi kreu i BFI-së, Shaqir Fetahu, në gjuhën shqipe dhe maqedonase.

Pas namazit të Fitër Bajramit, Fetahu në një prononcim për media u uroi festën të gjithë besimtarëve.

“Sot jemi të lumtur dhe të gëzuar sepse sot kemi rastin dhe fatin që të jemi afër njëri tjetrit, të shtrijmë dorën e pajtimit, të jemi bashkë në zemrat tona, në familjet tona dhe në jetën tonë”, u shpreh ai.

Fetahu tha se si BFI gjatë tërë Ramazanit, por edhe prej momentit të parë të COVID-19 kanë qenë të organizuar në nivelin më të lartë duke respektuar të gjitha normat që i parasheh Islami si dhe të gjitha masat që i kanë paraparë të gjitha institucionet kompetente.

Kreu i BFI-së gjithashtu falënderoi qeverinë e Maqedonisë së Veriut në emër të gjithë besimtarëve për lehtësimet që i dhanë gjatë muajit të Ramazanit dhe të Fitër Bajramit.

Këtë vit Kosova fal namazin e Fitër Bajramit nëpër xhami

Pasi vitin e kaluar namazi i Fitër Bajramit në xhamitë e Kosovës u pezullua nga Bashkësia Islame e Kosovës (BIK) për shkak të koronavirusit, këtë vit autoritet vendosën që namazi i kësaj feste të falet nëpër xhami.

Këtë Fitër Bajram, besimtarët muslimanë në Kosovë u drejtuan nëpër xhami për të falur namazin e kësaj feste, por duke respektuar masat kundër përhapjes së pandemisë COVID-19.

Një numër i madh i besimtarëve kanë marrë pjesë në faljen e namazit në Xhaminë e Madhe “Sulltan Mehmet Fati” në Prishtinë, ku u është kërkuar që të kenë kujdes duke respektuar rekomandimet shëndetësore mbi pandeminë.

Në hytben e mbajtur në Xhaminë e Madhe, kreu i Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), Naim Tërnava, theksoi se kjo festë për besimtarët musliman vjen si një freski që gëzon, shëron dhe qetëson shpirtin e besimtarëve.

“Feja Islame është e angazhuar në formimin e një shoqërie të shëndoshë, të drejtë dhe humane, që dallon qartë të mirën shpirtërore dhe materiale, dynjanë dhe ahiretin, të mirën dhe të keqen si dhe të drejtën nga e padrejta. Nëse njeriu e kupton drejtë këtë mision, pa dyshim do të jetë në rrugën e Zotit”, theksoi Tërnava.

Falja e namazit të Fitër-Bajramit në Kosovë u bë në orën 5 e 53 minuta. Xhamitë u hapën 10 minuta para se të niste falja e Bajramit, ndërsa gjatë kësaj kohe u morën tekbire, u lexuan pjesë nga Kurani dhe u dërguan selavate. Ligjërata ishte paracaktuar nga BIK-ut të mos zgjaste më shumë se 10 minuta.

Fitër Bajrami është festa e cila festohet pas mbarimit të muajit të Ramazanit. Muslimanët para ditës së Bajramit shpërndajnë lëmoshë dhe solidarizohet me të varfrit për ta festuar së bashku këtë festë.