Berlini, sinjale pozitive për negociatat

Për Shqipërinë mund të ketë një vendim pozitiv nga parlamenti i Gjermanisë për hapjen e negociatave në muajin tetor. Në një intervistë për Deutsche Welle, Gunter Krichbaum, deputet i unionit kristian-demokrat të kancelares gjermane, Angela Merkel, thotë se hapja e dritës jeshile mund të ndodhe në të njëjtën kohë me Maqedoninë e Veriut, ndonëse vlerësimi për të dy vendet është bërë i veçuar.

Siç thashë ne Bundestagun gjerman jemi duke u këshilluar edhe për Shqipërinë. Është më mirë që vendet të vlerësohen sipas përparimeve që bëjnë vetë, me të ashtuquajturën “principle of own merit”. Prandaj vendet duhen gjykuar për përpjekjet që bëjnë. Për mua është e qartë se mund të bëhet shkëputja e dy vendeve, e megjithatë në fund mund të ndodhë që bisedimet të fillojnë në të njëjtën kohë për të dy vendet. Nuk po flasim për fillimin e bisedimeve për kapitujt e pranimit, se ky është hapi i dytë“, tha Gunter Krichbaum, deputet i CDU.

Krichbaum ka qenë një ndër deputetët me skeptikë të Bundestagut për hapjen e negociatave me Shqipërinë. Në nëntor të vitit 2016 ai trazoi jo pak ujërat në Tiranë teksa deklaroi se qeveria duhet të përmbushte 7 kushte përpara se të meritonte hapjen e negociatave.

Për Deutsche Welle Krishbaum shpjegon se për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut fund të shtatorit do të merret një vendim në komisionin parlamentar që ai drejton. Ndërsa parlamenti do të votojë hapjen përfundimtare ose jo të negociatave me dy vendet në tetor.