Bëri thirrje për grusht shteti, arrestohet deputeti në Greqi

Deputeti i partisë së djathtë ekstreme "Agimi i Artë", Barbarousis i cili kaloi në arrati pasi bëri thirrje për grusht shteti në parlamentin grek, është arrestuar nga forcat e rendit

Deputeti i Agimit të Artë, Constantinos Barbarousis u arrestua mëngjesin e se hënës nga oficerë kundër terrorizmit në zonën Penteli të Athinës. Ai ishte në arrati që nga e premtja, pasi u padit nga një prokuror me akuza për tradhti.

Në fjalimin e tij para ligjvënësve gjatë një debati mbi një mocion mosbesimi të ngritur kundër qeverisë nga opozita, Barbarousis tha se ushtria duhet të arrestojë kryeministrin Alexis Tsipras, ministrin e mbrojtjes Panos Kammenos dhe presidentin grek Propkopis Pavlopulos, me qëllim bllokimin e marrëveshjes së emrit me Shkupin të cilën e quajti një tradhti kombëtare.

Kjo situatë bëri që kryetari i parlamentit të ndalonte partinë e ekstremit të djathtë nga çdo diskutim i mëtejshëm mbi mocionin e mosbesimit dhe të akuzonte Agimin e Artë për nxitje të dhunës. Pak orë më vonë udhëheqja e Agimit të Artë e përjashtoi deputetin nga radhët e partisë duke argumentuar se thirrjet e tij nuk janë në përputhje me idetë e tyre politike.

Mediat greke njoftuan se Barbarousis, i cili kishte arritur të ikte nga policia e cila tentoi ta arrestojë pas thirrjes për puç gjatë një fjalimi në parlamentin grek, është kapur në shtëpinë e një miku në rajonin Pendeli në afërsi të Athinës nga ana e ekipeve të antiterrorit.

Ndryshe, duke folur në parlamentin grek në lidhje me “çështjen e emrit” mes Greqisë dhe Maqedonisë, Barbarousis e kishte cilësuar marrëveshjen mes dy vendeve si “tradhtit ndaj kombit”.

“I bëj thirrje ushtrisë që të përmbushin betimin e tyre duke e arrestuar kryeministrin Aleksis Tsipras, (Ministrin e Mbrojtjes) Panos Kammenos dhe presidentin Prokopis Pavlopoulos, për të ndaluar këtë tradhti”, ishte shprehur Barbarousis.

Kjo deklaratë e deputetit të “Agimit të Artë” shkaktoi reagime, ndërkohë që Barbarousis ishte larguar nga grupi parlamentar i partisë.

Vendimi për arrestimin e Barbarousis u mor nga ana e Prokurorisë së Athinës pasi filloi hetim me akuzën për tradhti ndaj kombit për shkak të fjalimit na parlament. Ai kishte ikur me veturën zyrtare nga policët të cilët kishin ardhur në parlament për ta arrestuar.