Berhan Bajrakurti: Më kanë vrarë për së gjalli

Ish-polici: Më kanë vrarë për së gjalli

Ky është Berhan Bajrakurti ish-polici i zonës së Gruemirës në Shkodër, i cili ende nuk e ka marrë veten nga ajo video intime e shpërndare në media. Baba i katër fëmijëve Bajrakurti thotë se ai material e ka kryqëzuar.

“Mua më kanë vra për së gjalli. Më kanë kryqëzu në mënyrën më të… Është një dorë shumë e zezë në Malësi të Madhe, e mirëorganizume, që ma stisi këtë gja që nuk është ndierë asnjëherë në këto zona. Është ba për të më goditur mua personalisht, për të ulur imazhin e Policisë së Shtetit”, tha Bajrakurti.

Ai thotë se pragun e banesës e ka kaluar vetëm për të thënë të vërtetën në disa studio televizive, ndërsa miqtë e tij në Koplik ka kohë që nuk i ka takuar. Bajrakurti sqaron se ka kërkuar ballafaqim me ata që i ngritën akuzat për ngacmim e minorenes, por që nuk erdhi asnjëherë.

“Kërkoj vetëm të ma gjejnë atë minorenen për të cilën unë akuzohem, që kam vu në makinë me gjithë të ëmën. Që i paska vënë mbrapa në makinë, që e kam ndjek. Që paska ardh te komisariati, unë e kam kap për krahu dhe nuk e kam lënë të hyjë brenda. Vetëm atë person dua që të më gjejnë tash”, tha ai.

Ish-oficeri i policisë nuk është në gjendje akoma të tregojë nga ku i doli një video e tillë. Cilët janë ata njerëz, çfarë qëllimi kishin?

Pas skandalit Berhan Bajrakurti u akuzua për ngacmim seksual ndaj një të miture, por që nuk u gjet asnjë provë për këtë. Aktualisht ai ndodhet ne masën e sigurisë e detyrimit për tu paraqitur ne prokurori.