Beograd, pas 20 vitesh dënohen vrasësit e gazetarit Sllavko Çuruvija

Shefi i atëhershëm e Sigurisë Shtetërore, Radomir Markoviq, dhe shefi i atëhershëm i qendrës së DB-së për Beograd, Milan Radonjiq, janë dënuar me nga 30 vite burg secili

Gjykata Speciale në Beograd ka shpallur sot katër ish-pjestarët e Sigurisë Shtetërore (DB) fajtor për vrasjen e pronarit dhe gazetarit të “Dnevni Telegraf”, Sllavko Çuruvija, më 11 prill të vitit 1999, për çka u ka shqiptuar dënimin me 30 dhe 20 vite burg, raporton Anadolu Agency (AA).

Shefi i atëhershëm e Sigurisë Shtetërore, Radomir Markoviq, dhe shefi i atëhershëm i qendrës së DB-së për Beograd, Milan Radonjiq, janë dënuar me nga 30 vite burg secili.

Pjestari i shërbimit rezervë të DB-së, Mirosllav Kurak, dhe punonjësi operativ i DB-së Ratko Romiq, janë dënuar me nga 20 vjet secili.

Markoviq është dënuar nxitje të nja vrasjeje të rëndë, ndërsa Radonjiq, Romiq dhe Kurak për vrasje të rëndë në bashkëveprim.

Markoviq tashmë po vuan dënimin me 40 vjet burg për vrasjen në “Magjistralen e Ibrit”, ku në shënjetër të atentatit ishte opozitari i atëhershëm Vuk Drashkoviq, i cili shpëtoi, por mbetën të vrarë katër bashkëpunëtorë të tij.

Mirosllav Kurak është në arrati dhe për të është lëshuar një fletëarrest ndërkombëtar.

Në bazë të aktakuzës, Çuruvija është vrarë më 11 prill të vitit 1999 nga Mirosllav Kurak, i cili për bashkëpunëtor kishte Ratko Romiqin.

Siç thuhet në aktakuzë, ai u vra për shkak të “paraqitjeve publike në vend dhe jashtë vendit, si dhe kritikave ndaj autoriteteve politike dhe aftësisë së tij për të ndikuar në opinionin publik, me qëllim të mbahet në pushtet qeveria ekzistuese”.

Çuruvija u vra para hyrjes së ndërtesës ku gjendej hapësira e marketingut të “Dnevni Telegraf”.

Vendimi u shpall 20 vjet nga vrasja dhe është vendimi i parë gjyqësor për vrasjen e një gazetari.