Benjamin Netanyahu kërkon që SHBA ta njohë të drejtën e Izraelit mbi Lartësirat e Golanit

"Nuk do të heq dorë nga shpresa që SHBA ta njohë sovranitetin izraelit mbi Golanin", tha Netanyahu në një deklaratë

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se nuk do të tërhiqet nga kërkesa e tij që SHBA-të të njohin të drejtën e Izraelit mbi Lartësirat e pushtuara të Golanit, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Nuk do të heq dorë nga shpresa që SHBA ta njohë sovranitetin izraelit mbi Golanin”, tha Netanyahu në një deklaratë.

Komentet e tij vijnë një ditë pasi këshilltari i sigurisë kombëtare i SHBA-ve, John Bolton, tha për Reuters se administrata amerikane “nuk është duke e shqyrtuar mundësinë” për të njohur të drejtën e Izraelit mbi pllajën strategjike.

Izraeli pushtoi Lartësirat e Golanit në Siri gjatë Luftës Arabo-Izraelite të vitit 1967, kur pushtoi gjithashtu Bregun Perëndimor, Kudsin Lindor dhe Rripin e Gazës.

OKB vazhdon t’i cilësojë Lartësirat e Golanit si territor “i pushtuar”.