Belgjika fiton bindshëm ndaj Panamasë, 3 gola dhe 3 pikë për “Djajtë e Kuq”

Belgjika shpërthen në pjesën e dytë dhe “tregon dhëmbët” ndaj Panamasë, që reziston vetëm 45 minuta...

Belgjika e nisi me këmbën e duhur eksperiencën në kampionatin botëror, teksa mposhti në debutim Panamanë, me rezultatin e thellë 3-0. Vendi nga Amerika Qendrore, që luante për herë të parë në finalet e një kampionati botëror, rezistoi vetëm në 45 minutat e para, të cilat u mbyllën me rezultatin 0-0.

Mundësitë për të shënuar nuk munguan, por Mertens me shokë nuk ishin të qetë dhe mbase e kishin nënvlerësuar më shumë sesa duhej sfidën ndaj një ekipi inferior.

Por pas pushimit belgët u futën me një mentalitet tjetër, ishin më agresivë dhe më kreativë, dhe kjo u pa te goli i parë.

Pas një aksioni të bukur, topi shkon te Dries Mertens i cili me një goditje fantastike me të parën ka arritur të zhbllokojë rezultatin. Pas tij ishin dy golat e Romelu Lukaku-t që vulosën tre pikët e para për Djajtë e Kuq.

Ra në sy loja e bukur e evropianëve në pjesën e dytë pas golit të parë, Hazard dhe De Bruyne ishin gjatë gjithë kohës të rrezikshëm dhe me siguri ky është vetëm fillimi për djemtë e Martinez.

Lukaku shënoi fillimisht me kokë në minutën e 69-të për 2-0 pas asistimit të Kevin de Bruyne, ndërsa për 3-0 shënoi në minutën e 75-të pas asistimit të Eden Hazard.

Deri në fund të ndeshjes pati edhe shumë raste tjera për gol, por shifrat mbeten të pandryshuara dhe Belgjika fitoi me rezultat 3-0.

Pas kësaj fitore, belgët udhëheqin Grupin G me tri pikë, ndërsa në këtë grup Anglia dhe Tunizia luajnë sonte nga ora 20:00.

Gjithsesi, përtej fitores, Belgjika shfaqi probleme në fushën e lojës, veçanërisht në bashkëpunimin mes lojtarëve, që nuk ishte në nivelin e duhur për një skuadër pretendente.