BE rrit shpenzimet ushtarake, niveli më i lartë që nga fundi i Luftës së Ftohtë

Shpenzimet ushtarake në Evropë prekën pikun në vitin 2022, me nivele të paregjistruara që nga fundi i Luftës së Ftohtë. Në raportin e tij të fundit, Instituti i Paqes në Stokholm thotë se rritja masive u nxit nga pushtimi rus i Ukrainës.

Shtetet e Bashkuara, Kina dhe Rusia mbeten tre vendet që shpenzojnë më shumë për mbrojtjen, duke përbërë 65 për qind të kuotës globale të shpenzimeve, e barabartë me 2.036 miliardë euro.

Në Evropë, fuqitë e mëdha rritën shpenzimet me disa pikë përqindjeje, me Britaninë që shpenzoi 62 miliard e gjysmë euro. Gjermania dhe Franca i rritën në rreth 50 miliardë, ndërsa Italia i uli me 4.5 për qind, duke i çuar në 30 miliardë euro e gjysmë.

Edhe Ukraina u detyrua të bënte një rritje masive për të mbrojtur territorin e saj. Buxheti ushtarak u rrit me mbi 600 për qind, pavarësisht marrjes së ndihmave nga aleatët.

Pushtimi ka rezultuar gjithashtu i kushtueshëm për vetë Rusinë, që priste një fitore të shpejtë në agresionin e saj. Vetë Moskës iu desh të rriste shpenzimet për forcat e armatosura me 9 për qind.