Brukseli ka hedhur poshtë zyrtarisht buxhetin me shumë shpenzime të Italisë, duke hapur rrugën për sanksione të paprecedenta, e duke thelluar edhe më tej një përplasje me qeverinë populiste të Romës.
Procedura është procesi zyrtar i BE-së për të dënuar vendet anëtare për shpenzimet e tepruara. Konkluzioni nuk është aspak surprizë dhe vjen pasi Komisioni refuzoi më herët buxhetin e Italisë për vitin 2019, e para herë kjo në historinë e BE-së,raporton Top Channel.
Por, Italia refuzoi të tërhiqej pas vetos së Brukselit, duke e çuar në opinionin final të Komisionit, të mërkurën.
Buxheti italian nuk përmbush kërkesën e BE-së për reduktimin e shpenzimeve dhe premton rritje të tyre, përfshirë edhe një të ardhur mujore bazë për të papunët dhe rritje pensionesh.
Tani, Italia ka dy javë kohë për të vendosur nëse do ta lejojë Komisionin të nisë procedurën, që zgjat për disa muaj dhe që mund të çojë në gjoba. Roma ka mundësi të negociojë dhe të bëjë korrigjimet e kërkuara, para se Brukseli të zyrtarizojë gjobën që mund të shkojë deri në 0.2 për qind të GDP-së së Italisë.