Tryeza e diskutimit për sfidat e menaxhimit të mbetjeve të ngurta urbane dhe perspektivat në rrugën e përafrimit të legjislacionit me Bashkimin Evropian (BE) ka mbledhur së bashku në një aktivitet në Tiranë përfaqësues të Qeverisë së Shqipërisë, ambasadorë dhe ekspertë të çështjeve të mjedisit, raporton Anadolu Agency (AA).
Ministri i Turizmit dhe Mjedisit i Shqipërisë, Blendi Klosi, gjatë fjalës në aktivitet tha se menaxhimi i mbetjeve është një nga prioritetet dhe një nga detyrat e forta që BE i ka vendosur çdo vendi që kërkon të bëhet anëtar.
“Mendoj që është gjithmonë koha për të folur se çfarë ndodh me menaxhimin e mbetjeve urbane në vend dhe çfarë do të ndodhë në të ardhmen. Pandemia ka bllokuar shumë aspekte të jetës, por dëshirën për të jetuar pastër dhe në dashuri me mjedisin në asnjë moment nuk e ka tronditur. Në qoftë se do të ketë një ndryshim në të gjithë situatën tonë pranë Bashkimit Evropian do të duhet të jetë jeta e përbashkët. Kur flasim për mjedisin, për natyrën, kur flasim për jetën e njerëzve gjithçka duhet të jetë brenda të njëjtit standard”, tha Klosi.
Sipas ministrit Klosi, sot debati për mjedisin edhe pse në kushtet e pandemisë është një debat i cili jeton çdo ditë në realitetin shqiptar. Ai tha se “Sot për mbetjet urbane dhe për mënyrën si trajtohet mjedisi në Shqipëri ka shumë më shumë, ka një përpjekje të madhe dhe kritikë të madhe shoqërore dhe kjo besoj është një arritje e kësaj kohe”.
“Kemi arritur që së bashku me parterët tanë, sidomos me Bashkimin Evropian i cili na ka ndihmuar në investime të qenësishme në infrastrukturën e trajtimit të mbetjeve urbane, të kemi një sistem të gatshëm që me një lloj përpjekje më të fortë do të mund të menaxhoheshin ashtu siç duhet mbetjet urbane në vendin tonë”, tha ministri Klosi.
Ambasadori i Bashkimit Evropian (BE) në Shqipëri, Luigi Soreca, gjatë fjalës së tij në aktivitet theksoi se BE është mbështetës i fortë i Shqipërisë në fushën e menaxhimit të mbetjeve.
“Menaxhimi i mbetjeve është një temë shumë e ndërlikuar dhe është pjesë e përditshmërisë tonë. Është mbrojtja e mjedisit dhe mbrojtja e çdo individi. Mosmenaxhimi i mbetjeve lidhet me krimet mjedisore, me krimin e organizuar dhe me korrupsionin. Një sistem i qëndrueshëm për menaxhimin e mbetjeve dhe efektiv është më shumë sesa pastrimi i rrugëve tona”, u shpreh ambasadori Soreca.
Aktiviteti i organizuar nga Delegacioni i BE-së në Tiranë, me mbështetjen e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit të Shqipërisë kishte në fokus diskutimet për legjislacionin mbi menaxhimin e integruar të mbetjeve, rolin e institucioneve qendrore dhe vendore në fushën e menaxhimit të mbetjeve dhe sfidat në procesin e përafrimit të legjislacionit shqiptar me legjislacionin e BE-së.