Bashkimi Evropian (BE) ka deklaruar se mandati i Forcave të Sigurisë të Kosovës (FSK) të ndryshohet përmes një procesi “gjithëpërfshirës” dhe “gradual”, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një njoftim nga zyra e Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Punë të Jashtme dhe Politikat e Sigurisë, Federica Mogherini, thuhet se BE-ja pret që Kosova të vazhdojë t’u përmbahet obligimeve të saj sipas Marrëveshjes së Parë të konkluduar në prill të vitit 2013 në Bruksel dhe aranzhimeve të saj të sigurisë.
“Kuvendi i Kosovës miratoi sot një legjislacion mbi Forcat e Sigurisë së Kosovës. Ashtu si NATO, edhe Bashkimi Evropian vazhdon të ndajë qëndrimin se mandati i FSK-së duhet të ndryshohet përmes një procesi gjithëpërfshirës dhe gradual në përputhje me Kushtetutën e Kosovës”, ka theksuar zyra e Mogherinit.
Kujtojmë se në seancën e sotme, Kuvendi i Kosovës me një shumicë absolute miratoi tre projektligjet për transformimin e FSK-së në ushtri, respektivisht projektligjin për formimin e Ministrisë së Mbrojtjes, projektligjin për transformimin e FSK-së në ushtri, si dhe projektligjin për shërbim në FSK.
Votimi i projektligjeve të sotme pritet të dekretohet nga presidenti Thaçi, pas së cilës Kosova zyrtarisht bëhet me ushtri.