“BE duhet të flasë me turqit qipriotë për çështjen e Mesdheut Lindor”

Ministria e Punëve të Jashtme të Turqisë tha se deklarata e BE-së nga samiti dyditor që do të mbarojë sot është "larg së vërtetës", megjithë praninë e disa elementeve pozitive

Turqia kritikoi sot deklaratën e Samitit të liderëve të Bashkimit Evropian për injorimin e turqve qipriotë, që janë një palë kyçe për zgjidhjen e tensionit të fundit në Mesdheun Lindor, transmeton Anadolu Agency (AA).

Ministria e Punëve të Jashtme (MPJ) të Turqisë tha se deklarata e BE-së nga samiti dyditor që do të mbarojë sot është “larg së vërtetës”, megjithë praninë e disa elementeve pozitive.

Në kumtesën e ministrisë thuhet se teksti është një shembull se si disa vende të BE-së po përpiqen të përmirësojnë marrëdhëniet me Turqinë, por Greqia dhe grekët qipriotë kanë marrë “peng” marrëdhëniet Turqi-BE.

Mirëpo, MPJ e Turqisë përshëndeti si “pozitive” referencën në tekst për Turqinë dhe Greqinë që vendosnin të rinisnin bisedimet hulumtuese.

Në deklaratën e djeshme, Këshilli Evropian përsëriti “solidaritetin e tij të plotë” me Greqinë dhe Qipron Greke, “sovraniteti dhe të drejtat sovrane të të cilëve duhet të respektohen”, duke mos përmendur turqit qipriotë.

“Liderët e BE-së theksuan se BE-ja ka një interes strategjik për mjedis të qëndrueshëm dhe të sigurtë në Mesdheun Lindor dhe zhvillimin e një marrëdhënieje bashkëpunuese dhe reciprokisht të dobishme me Turqinë. Liderët e BE-së përshëndetën hapat e fundit të ndërtimit të besimit nga Greqia dhe Turqia dhe njoftimin se ata do të rinisin bisedimet hulumtuese”, thuhet mes tjerash në deklaratën e BE-së.

Megjithatë, nga MPJ e Turqisë thonë se çështjet e përfshira nuk kanë të bëjnë thjesht me përcaktimin e kufijve detarë, por në fakt bëjnë thirrje për zgjidhjen e gjithanshme të problemeve midis Turqisë dhe Greqisë.

Duke kritikuar deklaratën e BE-së për mos referimin e turqve qipriotë, ministria tha se mungesa e “përmendjes së ndarjes së drejtë të të ardhurave midis dy palëve të ishullit në lidhje me burimet e hidrokarbureve tregon se vazhdon mentaliteti i BE-së që injoron turqit qipriotë”.

Turqit qipriotë dhe grekët qipriotë duhet të bisedojnë

MPJ e Turqisë vlerëson se derisa të zgjidhet problemi i Qipros, grekët qipriotë duhet t’u drejtohen fqinjëve të tyre turq qipriotë, e jo Turqisë.

Nuk mund të ketë proces negocimi me administratën e Qipros Greke pa turqit qipriotë, thonë nga ministria.

“Për këtë arsye, BE duhet t’u bëjë thirrje grekëve qipriotë të flasin me turqit qipriotë, jo me Turqinë”, theksohet në kumtesë.

Qiproja është ndarë që nga viti 1974, kur një grusht shteti i grekëve qipriotë u pasua nga dhuna kundër turqve të ishullit dhe ndërhyrja e Ankarasë si një fuqi garantuese.

Ndërhyrja është pasuar nga një proces i paqes me ngritje dhe ulje në vitet e fundit, duke përfshirë iniciativën e dështuar të vitit 2017 në Zvicër nën kujdesin e vendeve garantuese, Turqisë, Greqisë dhe Britanisë së Madhe.

“Grekët qipriotë dhe Republika Turke e Qipros Veriore (TRNC) duhet të bëhen bashkë sa më shpejt të jetë e mundur për të koordinuar aktivitetet hidrokarbure që kryejnë veçmas dhe për të krijuar një mekanizëm bashkëpunimi, duke përfshirë ndarjen e drejtë të të ardhurave”, thuhet në deklaratën e MPJ-së turke.

“Për sa kohë që kjo nuk sigurohet, pala turke qipriote do të vazhdojë aktivitetet e saj hidrokarbure përmes TPAO”, shtohet në deklaratë, duke iu referuar korporatës “Turkish Petroleum “, të cilën TRNC e ka licencuan për të bërë kërkime.

Administrata e grekëve qipriotë nuk ka për qëllim të ndajë as pushtet as pasuri me turqit qipriotë, thuhet në deklaratë, megjithëse BE-ja ndihet e sforcuar ta thotë këtë për shkak të anëtarësimit të grekëve qipriotë në BE.

“Kjo është arsyeja pse BE-ja nuk mund të luajë një rol të ndershëm dhe të paanshëm në zgjidhjen e çështjes së Qipros”, thuhet në deklaratë.

“Fakti që hapat e ndërmarra nga vendi ynë për të mbrojtur të drejtat tona dhe të drejtat e turqve qipriotë konsiderohen si të paligjshme në vendimet e samitit, si dhe përdorimi i retorikës së sanksioneve, nuk janë konstruktive”, thonë nga MPJ turke, duke iu referuar BE-së e cila tha se mund të vendosë sanksione ndaj Turqisë.

Konferencë shumëpalëshe për Mesdheun Lindor

MPJ e Turqisë përshëndeti deklaratën e BE-së për përmendjen e “një konference shumëpalëshe mbi Mesdheun Lindor” siç u propozua nga presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan.

Ankaraja mirëpret faktin se “thirrjet tona për një zgjidhje të problemeve në rajon përmes dialogut dhe diplomacisë duke mbrojtur të drejtat dhe interesat” e Turqisë dhe TRNC-së u adresuan pjesërisht në Samitin e BE-së.

“Ne sinqerisht dëshirojmë të zhvillojmë marrëdhëniet tona me BE-në në çdo fushë në përputhje me perspektivën e anëtarësimit dhe t’i shërbejmë interesave tona të përbashkëta”, thuhet në deklaratë, duke iu referuar kandidaturës së Turqisë për anëtarësimin në BE.

Duke treguar se si Turqia gjithmonë u ka dhënë mbështetje të plotë atyre që përpiqen për dialog, nga ministria thonë se: “Tani është koha për të marrë hapa të ndërsjellë për të arritur rezultate konkrete”.

“Në këtë kontekst, ne presim të përmbushen hapat e marrë përsipër sipas vendimit, përfshirë liberalizimin e vizave”, thonë nga ministria, duke theksuar një synim prej kohësh të Turqisë të premtuar nga BE-ja në vitin 2016, sipas marrëveshjes për refugjatët.

Tensionet kohët e fundit janë përshkallëzuar për çështjen e kërkimeve të energjisë në Mesdheun Lindor, pasi Greqia ka kontestuar të drejtat e Turqisë për aktivitetet kërkuese të energjisë.

Turqia, vendi me vijën më të gjatë bregdetare në Mesdhe, ka dërguar anije për të eksploruar për energji në shelfin e saj kontinental, duke thënë se Ankaraja dhe (TRNC) kanë të drejta në rajon.

Greqia ka bërë kërkesa maksimaliste të territorit detar, bazuar në ishuj të vegjël që ndodhen vetëm disa kilometra larg bregdetit turk.

Për të ulur tensionet, Turqia ka bërë thirrje për dialog për të siguruar ndarjen e drejtë të burimeve të rajonit.