BE arrin popullsinë prej 513,5 milionë banorë

Popullsia e përgjithshme e 28 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian (BE) ka arritur në 513,5 milionë në vitin 2019, treguan të dhënat e Zyrës Evropiane të Statistikave (Eurostat), transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas të dhënave, popullsia prej 512,4 milionë në vitin 2018 ka shënuar rritje për 1,1 milion, për të arritur shifrën 513,5 milionë.

Gjermania ngelet shteti më i populluar në BE me 83 milionë banorë, kurse pas saj rradhiten Franca me 67 milionë, Britania me 66,6 milionë, Italia me 60,4 milionë, Spanja me 46,9 milionë dhe Polonia me 38 milionë.

Rritja e popullsisë në BE ka buruar nga migrimi, pasi mortaliteti në vitin 2018 ka qenë më i madh se nataliteti, konkretisht në 28 vendet e BE-së janë regjistruar 5,3 milionë vdekje dhe pesë milionë lindje.