BB: Punësimi në rritje, por 30% e vendeve janë informale

Numri më i madh i te papunëve në Tirane, Vlorë dhe Durrës

Një studim i kryer nga Banka Botërore për tregun shqiptar të punësimit evidenton se 30% e të punësuarve janë informalë, ndërsa gjatë viteve të fundit shtimi më i madh i vendeve të punës kanë ndodhur në sektorin e bujqësisë.

Raporti rekomandon që politikat e qeverisë të orientohen mbi mbështetjen e sektorëve prodhues, si energjia, industria dhe infrastruktura të cilët krijojnë një rritje të qëndrueshme ekonomike dhe ofrojnë paga më të larta.

“Numri më i lartë i të papunëve dominon në zonat urbane, si Tirana, Vlora apo Durrësi, qytete që kanë popullsinë më të madhe në Shqipëri. Bujqësia vazhdon të thithë 38 % të totalit të të punësuarve, ndërsa prodhimi dhe shërbimet janë më pak të zhvilluara”,  thotë studimi.

Si problem për frenimin e vendeve të reja të punës, Banka Botërore evidenton edhe taksat mbi punën, të cilat reduktojnë kërkesën dhe rritin kostot për sipërmarrësit. “Sa më i lartë të jetë niveli i taksave, aq më të ulët janë stimujt për të punuar” – shprehet Banka Botërore, shkruan Klan.

Shkalla e punësimit në Shqipëri u rrit gjatë 3 mujorit të parë të vitit me 5%, ndërsa papunësia ra në nivelin më të ulët të 10 viteve të fundit.