Bashkia e Tiranës miraton 3 mijë pagesa për dëmtimet nga tërmeti

Gjithashtu kryetari i Bashkisë së Tiranës ka theksuar se këto fonde janë një formë solidariteti nga qeveria dhe në këtë mënyrë banorët që zotërojnë shumë banesa nuk do të përfitojnë.

Këshilli Bashkiak i Tiranës ka miratuar 3 mijë pagesat e para grante për Rindërtimin si dhe 200 dosjet e para të shtëpive në zonat rurale. Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj garantoi se pagesat do të jepen duke filluar nga java tjetër. Këto janë grantet e para që jep Bashkia e Tiranës  të cilat  sipas Veliajt do të vijojnë .

“Sot janë 3 mijë familje të kategorive DS1, DS2 dhe DS3 që do të marrin paratë në dorë. Do të vazhdojmë kështu, nga 3 mijë në çdo mbledhje, që t’i afrohemi sa më shpejt shifrës së 10 mijë dosjeve, të gjitha nga tërmeti i nëntorit”, tha Veliaj.

Veliaj theksoi se do të nisi shembja e 41 pallateve e dëmtuara  nga tërmeti si dhe do të hapen kantiere pune edhe në shumë prej zonave rurale të Tiranës, transmeton Scan.

“Kemi gati edhe 200 dosjet e para për shtëpitë që do të rindërtohen, kryesisht në zonat rurale. Nuk bëhet fjalë për pallatet, por për shtëpitë private familjare. Me këtë lot hapen disa kantiere pune në shumë prej zonave rurale të Tiranës, për të filluar në kohë rekord edhe ndërtimin e shtëpive. Për 200 dosjet e shtëpive të reja do të procedohet me një kontratë me operatorin që do ta ndërtojë. Sigurisht, kontrata na lipset pasi të marrim çelësat në dorë, që të kemi mundësi ta hipotekojmë. Për të gjithë këto procedura, çdo njësi administrative do të informojë qytetarët që përfitojnë nga procesi i rindërtimit”

Gjithashtu kryetari i Bashkisë së Tiranës ka theksuar se këto fonde janë një formë solidariteti nga qeveria dhe në këtë mënyrë banorët që zotërojnë shumë banesa nuk do të përfitojnë:

“Ky është një fond solidariteti dhe në situata normale nuk është detyrë e qeverisë shqiptare për të kompensuar dëmet nga tërmetet. Në këtë mënyrë fondi nuk vlen për ata banorë që kanë një shtëpi të dytë, tretë apo katërt. Ky fond është ekskluzivisht për ata që kanë vetëm një banesë. Në zonat ku është shpallur gjendja e fatkeqësisë natyrore, qytetarët që kanë një banesë të dytë, nuk duhet të aplikojnë për këtë fond.

Tirana është bashkia e dytë, pas asaj të Shijakut që ka filluar me grantet  për  rindërtimin e vendit pas tërmetit.