Basha: “Sistemi shëndetësor në kolaps total”

"Pas 8 vitesh dështime, Rama s’mund të zgjidhë asgjë. Ne mundemi!"

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka sulmuar ashpër kryeministrin Edi Rama, ndërsa e akuzon këtë të fundit se në 8 vite nuk ka përmbushur premtimin për shëndetësi falas.

Përmes një postimi në ‘Facebook’ lideri demokrat thekson se sot vendi ynë ka një sistem shëndetësor në kolaps. Po ashtu Basha pohon se më 25 prill PD do të sjellë ndryshimin.

REAGIMI I BASHES
Rama pati 8 vite për të përmbushur premtimin për shëndetësi falas. Ku është shëndetësia falas? Rama ka rritur taksat – ku shkuan paratë e taksave të shqiptarëve? Rama ua dha paratë tona miqve të tij.
Sot, Shqipëria ka një sistem shëndetësor në kolaps total: me numrin më të ulët të testimeve, me numrin më të ulët të mjekëve për banor, me mjekë dhe infermierë të paguar keq.
Tani, pas 8 vitesh dështime, Rama po flet për atë që do të bëjë. Pas 8 vitesh dështime, Rama nuk mund të zgjidhë asgjë. Ne mundemi. Më 25 prill ne do të sjellim ndryshimin – Rama do të humbasë dhe Shqipëria do të fitojë.