Bari, 28 vjet kur anija “Vlora” zbarkoi me 20 mijë shqiptarë

Zbarkimi i gushtit, 20 mijë vetë në një anije. Një tjetër valë emigrantësh në një anije që vinte nga Shqipëria.

Zbarkimi i gushtit, 20 mijë vetë në një anije. Një tjetër valë emigrantësh në një anije që vinte nga Shqipëria. 28 vite më parë, në brigjet e barit do të zbarkonte anija Vlora, në bordin e të cilës 20 mijë shqiptarë në kërkim të një jete që deri atëherë vetëm e kishin ëndërruar.

Anija ishte nisur nga Durrësi me 20 mijë klandestinë në bord dhe ky, ishte zbarkimi i dytë i madh në Puglia, pas atij të marsit. Shqiptarët u transferuan nga porti në stadiumin Vittoria. Ajo ditë, la të gdhendura në memorien kolektive imazhet e anijes Vlora, të mbushur me mijëra e mijëra persona, raporton Top Channel.

Anija me refugjatë, ishte refuzuar më herët në Brindisi dhe kishte ndryshuar kurs për tu tërhequr më pas nga rimorkiatorët dhe për tu ndalur në portin e Puglias.

Tani, në përvjetorin e 28 të zbarkimit të anijes Vlora, do të lëshohet në eter një valë e madhe radiotelegrafike, që mban një mesazh në kodin mors. Fraza është ajo e shqiptuar nga kryebashkiaku i atëhershëm, Enrico Dalfino.

“Janë njerëz, njerëz të dëshpëruar. Nuk mund ti kthejmë pas, ne jemi shpresa e vetme e tyre”. Në bregun përtej Adriatikut, kjo ditë do të shënohet madje edhe me një seri aktivitetesh, dedikuar humanizmit të treguar nga banorët e barit me rastin e zbarkimit të anijes Vlora.